Trajneri i kombëtares së volejbollit për meshkuj, Jani Melka, ka folur në Supersport pak ditë përpara pjesës së dytë të kualifikueseve të Euro Ligës. Shqipëria fitoi 2 nga 3 ndeshjet e luajtura në Maqedoni, duke qenë përkohësisht në vendin e dytë në grup, çka do të thotë kualifikim. Tani do të ndeshemi sërish me Maqedoninë, Suedinë e Azerbajxhanin dhe nëse fitojmë të paktën dy nga 3 ndeshjet e radhës, mund të arrijmë një kualifikim historik për në Final Four, faza finale e turneut, që do të përcaktojë edhe skuadrat që do të shkojnë në World League.
Është bërë një punë e mirë nga federata e volejbollit për ndërtimin e një skuadre sa më cilësore. Grumbulluam një numër të madh lojtarësh, prej nga përzgjodhëm grupin final. Puna u organizua mirë dhe rezultati ishte premtues, pas ndeshjeve të para në Shkup. Megjithatë, ishte vetëm pjesa e parë, sepse këtë fundjavë kemi tre ndeshjet vendimtare në Tiranë, te Parku Olimpik.
SUEDIA – “Suedia është një rival cilësor, nuk e them për justifikim nëse na mund. Atë ndeshje e fituam më shumë me zemër, lojtarët dhanë gjithçka në fushën e lojës. E nisëm keq, disa gjëra nuk na ecën si e prisnim, por shpirti i vendosur në fushë solli përmbysjen.
MAQEDONIA – “Humbja ndaj Maqedonisë? Kishim përballë ekipin më kompakt të turneut, ka lojtarë cilësorë, që luajnë bashkë prej vitesh. Keqardhja është që ndoshta i respektuam më shumë sesa duhet, mund të kishim fituar ndonjë set, edhe pse kundërshtari ishte superior.
AZERBAJXHANI – “Reaguam mirë, duke fituar ndeshjen kundër Azerbajxhanit, që në fakt ishte favorit. Skuadra e kuptoi që kishte një shans të artë për të shpresuar te kualifikimi dhe e trajtoi si finale atë takim.
SYNIMET – “Skuadra është e re, edhe pse kemi disa lojtarë me përvojë si Xhelati, Husaj, Shurdhi e ndonjë tjetër. Kemi edhe disa djem të rinj, që janë debutues në këto nivele, ndaj nuk ishim të sigurt se sa mund të arrinim. Ende nuk jam i sigurt sa larg mund të shkojë kjo skuadër. Gjithsesi, jam shumë i kënaqur deri tani, sepse fituam dy ndeshje në Maqedoni me ndihmën e gjithë skuadrës, diçka mjaft e bukur, ndaj jam optimist. Njerëzit po na japin një shtysë të jashtëzakonshme, i lutem zotit që të marrim fitore, çka do të ishin pozitive për opinionin, popullin dhe për sportin e volejbollit, sepse njerëzit duhet të kuptojnë që në Shqipëri nuk luhet vetëm futboll. Volejbolli është një sport me traditë në Shqipëri dhe po punohet shumë për ta ringritur. Duhet shumë punë, por edhe para. Federata na ka krijuar kushtet më të mira të mundshme, jam i kënaqur, sepse po bëhet maksimumi i mundshëm për volejbollin e meshkujve dhe të femrave. Unë e di mirë sa e vështirë është të organizosh turne të tillë, me 4 ekipe, ndaj është një eksperiencë pozitive dhe federata meriton lëvdata.
THIRRJA – “Luajmë nga e premtja deri të dielën, është një kompeticion shumë i rëndësishëm dhe uroj që të kemi sa më shumë tifozë në mbështetje. Njerëzit duhet të kuptojnë që volejbolli është një sport i ndërlikuar, humbja dhe fitorja ndahen nga pak pikë, ndaj duhet një atmosferë e nxehtë dhe nuk duhet entuziazëm vetëm kur fitohet. Skuadra duhet të japë gjithçka dhe të transmetojë entuziazëm, ndërsa spektatori do të na e kthejë mbrapsht këtë energji”.