Vrapon pa fund, lufton 90 minuta, është i lirë këtë verë dhe nuk ka pretendimet ekonomike të një superstari: Andi Lila është një lojtar perfekt për shumë klube dhe në Greqi e njohin mirë, ndaj e dinë që është një biznes me leverdi.
Mesfushori i kombëtares sonë mbyll kontratën me Janinën në fund të muajit dhe ka marrë oferta të shumta, aq sa u duk se e mbylli në Azerbajxhan, por tashmë e tundon një emër i madh: Panathinaikos.
Gjiganti grek po interesohet për shërbimet e futbollistit tonë, i cili përmbush parametrat ekonomikë të klubit dhe është i lirë, ndaj kanë nisur bisedimet e para, zbulon Tasos Nikolojanis, gazetar i njohur pranë Panathinaikosit.
Problemi i vetëm? Andi Lila është ekstrakomunitar dhe kjo vë paksa në siklet Panathinaikosin. Përveç kësaj, Lila kërkon edhe garanci teknike, pasi është ende në formë perfekte dhe nuk dëshiron të jetë thjesht një alternativë stoli për gjithë sezonin.