Dy oferta për Ekuban, vendos së shpejti

Kaleb Ekuban është objektivi kryesor i Partizanit, që po tenton ta mbajë të paktën edhe një sezon sulmuesin 23-vjeçar, i cili erdhi në verë te të kuqtë i huazuar nga Kievo. Ganezi ka pasur një ofertë nga sllovakët e Slovan Bratislavës, që nuk e ka kënaqur ekonomikisht sulmuesin, ndërkohë që e duan edhe në Angli, në divizionin e dytë, ku ka shprehur interesim Lidsi, që me Italinë ka lidhje të forta. Gjithashtu, interesim ka edhe nga Qiproja, ku APOEL i Nikozisë mund të futet në garë.

Sulmuesi pritet të diskutojë me drejtuesit e Kievos për të ardhmen e tij dhe shumë shpejt do të vendosë për të ardhmen. Duke qenë se hyn në vitin e fundit të kontratës, mundësitë janë dy: rinovon e pastaj huazohet, ose shitet që këtë verë dhe këtu Partizani nuk ka asnjë shans.

E sigurt është që te Partizani e presin me krahët hapur, por… falas, ose më saktë, vetëm në huazim. Gjatë sezonit që u mbyll sulmuesi arriti të shënojë 17 gola në 33 ndeshje, duke qenë shënuesi më i mirë në skuadrën e tij, çka bëri që edhe të fitonte zemrat e tifozëve të kuq. Në daljet mediatike Ekuban është shprehur i lumtur me atë që ka kaluar në kryeqytet dhe nuk do ishte kundër vazhdimit të eksperiencës së tij në Superiore, edhe pse natyrisht një ofertë nga Anglia nuk do ta refuzonte dot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *