Çelsi pagoi 35 milionë sterlina verën e vitit 2017 për kartonin e Deni Drinkuoter. Mesfushori ra në sy me “përrallën” Leister, ekip me të cilin u shpall kampion Anglie në vitin 2016.
Drinkuoter firmosi një kontratë të majme prej 5 vitesh, ndërsa përfitonte një rrogë prej 100 mijë sterlinash në javë. Super financat, por shumë dobët situata në fushë.
Plot 522 minuta është aktivizuar lojtari në këto dy vite, që i bie të jetë paguar rreth 85 mijë sterlina për minutë! Pavarësisht kësaj situate, 29-vjeçari është treguar profesionist, nuk është dorëzuar as kur i ka ndjekur shokët nga tribuna.
Mauricio Sarri, i cili nuk i besoi pothuajse kurrë, u largua drejt Juventusit. Drinkuoter qëndroi dhe ka një shans të dytë. Në stol është ulur Frenk Lampard, ish-mesfushor i madh, sot trajneri i ekipit me të cilin shkroi histori.
Lampard do të sjellë ndryshime. Repartin e mesit të fushës e njeh në perfeksion dhe të gjithë do të kenë mundësitë e tyre. Kante do të rikthehet në rolin e tij para mbrojtjes dhe Drinkuoter do të monitorohet me kujdes. Dikur kanë qenë një dyshe e frikshme te Leister, mund të jenë sërish te Çelsi.
Ky i fundit është grumbulluar me ekipin e Çelsit në fazën përgatitore dhe do të ketë shansin për të bindur trajnerin. Me shpresën për t’iu rikthyer fushave të blerta dhe për të justifikuar plotësisht rrogën që merr.