Futbolli nuk rresht kurrë së surprizuari, por në divizionin e tretë të futbollit italian është regjistruar një rezultat i pabesueshëm gjatë ditës së sotme. Kuneo ka mposhtur ekipin e Pro Piaçenzës me rezultatin 20-0!
Miqtë renditen në vendin e fundit dhe nuk zhvillonin një ndeshje zyrtare që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar. Pro Piaçenza ndodhet në krizë prej kohësh dhe drejtuesit e klubit nuk kanë paguar rrogat e lojtarëve që në fillim të sezonit.
Federata i ka detyruar të zbresin sot në fushë (në të kundërt do i priste skualifikimi nga kampionati), aty ku janë paraqitur me vetëm 7 lojtarë (të gjithë të moshës 16-19 vjeç), pa stafin teknik, ndërsa rolin e trajnerit dhe kapitenit të ekipit e ka kryer një… 18-vjeçar!
Vendasit kanë zbritur në fushën e blertë me formacionin e tyre më të mirë, ndërsa miqtë e kanë nisur sfidën me vetëm 7 futbollistë! Rregullorja e lejon një gjë të tillë, pasi një skuadër mund të zbresë në fushën e blertë me minimalisht 7 lojtarë.
Në minutën e 60-të në fushë për Pro Piaçenzën është futur dhe Isufi, i cili ishte programuar të luante si titullar, por nuk kishte asnjë mjet identifikimi me vete. Lojtarit i ka ardhur në ndihmë i ati që ka sjellë mjetin e identifikimit dhe Isufi është futur në fushë në vend të Piçiarelit, masazhatorit të ekipit. Ky i fundit ishte detyruar të zbriste në fushë si titullar për t’i lënë postin më pas Isufit.
Kanis ka qenë golashënuesi i Cuneos me tetë gola të shënuar, ndërsa Gabriele Gravina është prononcuar për këtë ndeshje të turpshme. Presidenti i FIGC (Federata italiane e futbollit)
“Ajo që ka ndodhur sot është një fyerje për sportin dhe parimet themelore të tij. Në këtë situatë surreale, Federata kishte për detyrë të zbatonte rregulloren dhe e ka ushtruar këtë rol. Përgjegjësia jonë është që të mbrojë pasionin e tifozëve, sipërmarrësit e shëndoshë dhe kredibilitetin e kampionatit tonë. Ajo që pamë sot të gjithë do të jetë farsa e fundit”, përfundon Gravina.