11 vite vuajtje në transfertat e Anglisë, Van Persi rrëfen makthin dhe çlirimin

Robin Van Persi u rikthye tek ekipi i Fejnordit në janarin e vitit të kaluar, aty ku shpërtheu në futbollin profesionist, përpara se të transferohej tek Arsenali. Sulmuesi i famshëm luajti tetë sezone me “topçinjtë”, ndërsa më pas zhvilloi tre sezone me Mançester Junajtid. Gjatë 11-të viteve në Premier, Van Persi shënoi 144 gola dhe dhuroi 65 asiste.

Më pas tre vite në Turqi me Fenerbahçen për t’u rikthyer te Fejnordi i tij i dashur. 35-vjeçari ka folur rreth eksperiencës angleze për “The Mirror”. Ai nuk ka patur kurrë probleme me trajnerët, apo shokët e skuadrës. Makthi i vetëm i sulmuesit ishin tifozët kundërshtarë.

Van Persi ofendohej sistematikisht në ndeshjet jashtë fushe dhe ka vuajtur gjatë për këtë fakt. Tani është rikthyer në shtëpi, aty ku është gjithçka ndryshe. Sot nuk ofendohet nëpër transferta, madje ndodh e kundërta. Kapiteni i Fejnordit është i lumtur dhe kundërshtarët e duartrokasin, një ndjesi fantastike të cilën e kishte harruar prej vitesh…

Në Angli kam pësuar fyerje të vazhdueshme, klithma dhe fishkëllima në çdo ndeshje jashtë fushe. Kështu ka ndodhur gjatë gjithë 11 viteve që luajta në Premier Ligë. Sot është më bukur kur luaj në transferta. Ajo që po përjetoj në kampionatin holandez është një eksperiencë e bukur, pas viteve të vështira në ishull. E kisha harruar se çfarë do të thotë të marrësh duartrokitje në stadiume të tjera… Që kur jam kthyer në Holandë, ku nuk luaja prej 14 vitesh, e kuptova se sa e mrekullueshme është të respektohesh nga tifozët e skuadrave të tjera”, përfundon Robin Van Persi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *