Zyrtare, Benfika blen sulmuesin e Real Madridit

Pak orë pasi zyrtarizoi shitjen e Zhoao Feliks te Atletiko Madrid, duke e bërë portugezin më të shtrenjtë në histori, Benfika ka bërë një goditje në sulm, sepse ka blerë nga Real Madridi sulmuesin Raul de Tomas.

Klubi portugez do të paguajë 20 milionë euro për sulmuesin, i cili ka firmosur për 5 vite në Lisbonë. Reali kërkonte 35 milionë, por nuk kishte interes ta mbante sulmuesin në ekip dhe nuk kishte oferta më të larta.

De Tomas ishte në kontratë me Realin deri në 2023, por ka qenë i huazuar te Kordoba, Vajadolid e Rajo Vajekano. Me këtë të fundit sulmuesi shpërtheu, sepse në sezonin 2017/18 shënoi 24 gola dhe e ndihmoi të ngjitej në La Liga, ndërsa sezonin e shkuar shënoi 14 gola në elitë.

Tani Reali arkëton një shifër të rëndësishme dhe shet lojtarin e tretë, pas Markos Jorente (39 milionë) e Mateo Kovaçiç (45 milionë), ndërsa Theo Hernandez pritet të shkojë te Milani dhe me valixhe në dorë janë ehde Hames Rodriguez, Martin Odegard e Borha Majoral, ndër të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *