Ze Maria: Ndeshje si miqësore, por pashë disa lojtarë që duan hapësirë

Trajneri i bardhebluve Ze Maria është i kënaqur me fitoren dhe kualifikimin në Kupë. Braziliani ka folur për ndeshjen e djeshme, por edhe Naftëtarin. Drejtuesi është i kënaqur me aventurën e tij 3-mujore në Shqipëri si dhe zbulon se prej disa kohësh takon Mark Julianon një njohje e vjetër e tij që në Serinë A, pasi të dy punojnë këtu në Tiranë.

-Një takim sa për të kaluar radhën me Besën?

Po, por, ne duhet ta fitonim. Një ndeshje që të dyja skuadrat e trajtuan si miqësore, për të provuar mbi të gjitha rezervat. Mua më shërbeu për të parë disa lojtarë, që mund të luajnë dhe luftojnë për një vend titullari në ekipin e parë.

-Rezultati 2-0. Prisje më shumë nga ekipi?

Prisja performancë më të mirë. Gjithsesi, ishte më shumë një ndeshje për të evidentuar se kush bëri më mirë dhe për t’i dhënë hapësirë atyre që kanë luajtur më pak. Dhe doja që t’ua bëja të qartë, që të gjithë janë të rëndësishëm. Ky është kompeticion që po ta fitojmë, na jep mundësinë për të luajtur në Ligën e Europës. Është forma dhe rruga e vetme për të qenë aty, ndaj doja që t’ua tregoja se sa vlerë ka ky trofe për ne.

-Të shtunën luani kundër Naftëtarit…     

Çdo ndeshje ka histori të ndryshme. Në këto ndeshje kemi kuptuar se kampionati ndryshon nga Kupa. Kundërshtarët vijnë gjithnjë për të na mposhtur, por ne luajmë në shtëpi dhe do kërkojmë që të vazhdojmë me rrugën tonë, atë të fitoreve. Duhet të kemi më shumë besim dhe siguri në forcat tona, për këtë kemi nevojë. Ndaj çdo fitore që marrim, është një hap i hedhur për të ardhmen.

-Është serioz dëmtimi i Binguilës?   

Në vazhdim do të kryejmë një rezonancë për të parë gjendjen e tij. Shpresoj të mos jetë diçka e rëndë, pasi ishte një lojtar që po përfshihej me grupin. Megjithatë, të presim përgjigjet e rezonancës.

-Jeni i kënaqur nga aventura këtu në Tiranë?

Deri tani po. Shoh që skuadra po rritet dhe po fiton mentalitetin tim. Nuk pushon dhe nuk dorëzohet kurrë. Kjo është pozitive për ambientin e Tiranës, që gjithnjë është nën presion. Po rritemi sikundër e thashë, por nuk jemi ende në 100 për qindëshin tonë.

-E vështirë që Tirana është në Kategorinë e Parë, por ka ndryshim nga skuadrat e Superiores?

Tani duhet të shohim kampionatin tonë. Të “qash mbi qumështin e derdhur”, nuk shërben fare. Tani ne duhet të mendojmë që të rikthehemi në elitë, dhe vitin tjetër, mund të bëj një analizë, nëse jemi ne, apo ata, superiorë. Tani jemi në të Parën dhe detyra jonë është e thjeshtë: duhet të tregojmë që jemi më të mirët e kësaj kategorie.

-Jeni takuar me Julianon? Dikur keni luajtur në një kampionat.

Po, Juliano është një mik, ashtu si është Panuçi. Kemi luajtur në Itali në të njëjtën periudhë, ndaj njihemi prej 20 vitesh. Nuk frekuentohemi çdo ditë, por shkojmë mirë. E kam takuar disa herë këtu në Tiranë dhe shpresoj që ai ta kalojë këtë situatë, pasi është një djalë i artë dhe një trajner i mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *