Vrapi: Speciale të luash kundër Tiranës

0

Olsi Avdiaj

Skuadra nga qyteti i lashtë i Prizrenit, pas emërimit të trajnerit Blendi Shkëmbi zyrtarizoi shumë transferime nga Shqipëria. Disa prej tyre ishin shumë të njohur ku veçonte Endri Vrapi. Më pas, emra si Jetmir Sefa, Mikel Kaloshi Elton Bastriu dhe Artur Magani, futbollistë që vinë nga Superiorja, duket se i garantojnë Europën skuadrës prizrenase. Por Endri Vrapi, lojtari me përvojën më të madhe bëri lëvizjen surprizë. La Vllazninë e Shkodrës për Prizrenin. Një aventurë e re për ish-mbrojtësin kuqezi. Më herët, Vrapi ka luajtur me Skënderbeun, Partizanin dhe Tiranën, ndërsa ka zhvilluar shumë ndeshje edhe me kombëtaren shqiptare. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Vrapi kujton sezonin ku së bashku me djemtë e tjerë të skuadrës shpëtoi Tiranën. Vrapi pohoi se të shtunën, sfida me bardheblutë do të jetë speciale. Ja intervista e plotë me Endri Vrapin.

-Si po shkon aventura tek Liria. Diçka e re për një futbollist, që ka luajtur pothuajse me të gjitha skuadrat e Superiores?

-Të them të drejtën momentalisht gëzojmë formë të mirë dhe si aventurë e re më duket interesante.

-Përse vendose për kampionatin kosovar? Mund të ishe në Superiore?

Është e drejtë ajo që thoni ju, sepse mund të vazhdoja në Shqipëri, por duke menduar që më erdhi një ofertë nga Kosova nuk doja ta refuzoja. Tjetra është sepse mua më pëlqejnë sfidat. Dhe për mua, Liria është një sfidë.

-Çfarë ndryshimi ka mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Të them të vërtetën akoma s’jemi përballur me ekipet e tjera, sepse kampionati fillon më vonë, por me sa kam parë, futbolli në Kosovë është në rritje.

-Liria, një “koloni” e vogël e Superiores?

Po, mund të themi “koloni”. Jemi disa lojtarë që ndoshta për shumë vite kemi mbajtur dhe “peshën” e Superiores.

-Si është Bledi Shkëmbi, si lojtar dhe si trajner?

Bledin e kam pasur për shumë vite kapiten dhe ndoshta po të flas, s’do të mbaroj asnjëherë, duke folur e rrëfyer. Ndërsa si trajner do ta shohim. Besoj se shumë shpejt do të radhitet tek ata trajnerë kualitativë.

-Ju vjen keq që Tirana, me të cilën luani të shtunën miqësore do të jetë në Kategorinë e Parë?

Sa për bardheblutë nuk di ç’të them, sepse një situatë të tillë e kam kaluar kur Tirana rrezikonte rënien vite më parë. Dhe me disa djem ja arritëm qëllimit dhe e shpëtuam skuadrën. Fundi është i hidhur për të gjithë ata që e shpëtuan, sepse këtë herë s’e di sesi ra në Kategorinë e Parë. Me keqardhje them, se askush nuk do ta shikojë Tiranën aty ku është. Në këto kushte, u mbetet drejtuesve të japin shpjegim, përse është Tirana në Kategorinë e Parë, sepse fanellën e kryeqytetit, qoftë të Tiranës, qoftë të Partizanin çdo futbollist e ka ëndërr ta veshë një herë në karrierë.

 

2 sezone ka luajtur Endri Vrapi me fanellën e Tiranës

 

Skuadrat e Endri Vrapit në karrierë

2002      Partizani

2003–2005  Lushnja

2005–2006  Elbasani

2006–2007  Teuta

2007–2008  Tirana

2008–2009  Elbasani

2009 Dinamo

2009–2010  Besa

2010–2013  Skënderbeu

2013–2014  Tirana

2014–2016  Partizani

2016–2017  Vllaznia

2017 Liria e Prizrenit

 

 

Tirana-Liria, një sfidë speciale për ish-bardheblutë

 

Të shtunën një nga skuadrat më simpatike të Kosovës, Liria e Prizrenit do të përballet me Tiranën në një miqësore. Bardheblutë do të kenë kundër shumë emra të njohur. Duke filluar që nga trajneri Bledi Shkëmbi, por edhe jo pak ish-bardheblu. Jetmir Sefa dhe Endri Vrapi janë dy prej tyre. Për të mos folur për Artur Maganin, të birin e Gugash Maganit, që për një kohë të gjatë ishte trajneri i Tiranës. Korçari Shkëmbi një dëshirë e vjetër bardheblu, që kurrë nuk u materializua tani është trajner me Lirinë e Prizrenit dhe ka afruar jo pak lojtarë nga Superliga. Të shtunën kundër Ze Marias dhe Tiranës së brazilianit do të shohim një sfidë të veçantë, të dy ekipeve që janë për t’u zbuluar. Dhe aventura e parë si trajner, deri në këto momente, duket pozitive për Bledi Shkëmbin, i cili pas ndeshjes me Kukësin, që u mbyll barazim 3-3, mbeti i kënaqur nga loja e ekipit të tij, Lirisë. “Objektivi është që të gjeja miqësore me ekipe të forta, ndoshta rastësisht dhe miqësisht doli me Kukësin dhe për këtë unë jam i kënaqur, pasi unë dua gjithmonë që të përballem me ekipe më të forta, pavarësisht se si del rezultati. “Liria është ekip i kompletuar pak a shumë”, tha Shkëmbi, që foli edhe për ndryshimet mes dy kampionateve. – “Kampionatet, si ai i Kosovës dhe ai shqiptar janë të ndryshëm, kuptohet që kampionati ynë është më i fortë, por dhe ai i Kosovës, mesa unë e kam parë vitin që shkoi, ka elementë mjaft të mirë dhe është në rritje. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë, ne po punojmë fort, tani fusha dhe koha do tregojnë gjithçka”, mbylli Shkëmbi. Të shtunën, kampioni ka sfidën e radhës me Tiranën, por kjo miqësore është ndryshe nga përballjet në karrierën e tij sportive dikur në Superiore. Të gjithë janë të ftuar për të parë Tirana-Liria e Prizrenit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image