VIDEO/ Liverpool dhe minutat ekstreme, Sadio Mane shënon edhe me kokë

Liverpool ka marrë një fitore në frymën e fundit kundër Aston Villa-s, ku ka arritur të rrëmbejë 3 pikët pasi përmbysi rezultatin në limitet e ndeshjes.

Vendasit e Aston Villës do të kalonin të parët në avantazh që në minutën e 21- të të takimit, ndërsa shifrat do të qendronin në 1-0 deri në minutën e 87, ku Mane do të jepte një harkim perfekt për Robertson që do të barazonte gjithçka. Ndërkohë në minutën e 4-t të shtesës, Mane do të bënte heroin te të kuqtë e Liverpool, duke shënuar me kokë pas një krosimi në zonë nga këndorja. Asgjë nuk e kufizon senegalezin, që megjithëse ishte një nga më shtatshkurtërit në fushë, arriti të shënonte nga ajri, si rrallë herë më parë.

Por kjo nuk është hera e parë që ekipi i udhëhequr nga Klopp po vendos ndeshjen në minutat e fundit. Një gjë e tillë ndodhi edhe 3 javë më parë kundër Leicestërit, ku goli i fitores do të vinte në minutat shtesë, ndërsa edhe ndaj Manchester United vendosin baraspeshën vetëm 5 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Megjithatë, pavarësisht se si vjen fitorja, në minutat e fundit apo me përmbysje, Liverpool tregon gjithnjë se është “zot” i fushës, duke nisur që nga dominimi në mbajtjen e topit, apo edhe në tentativat për gol. Skuadra angleze vazhdon të jetë e pamposhtur në Premier League dhe është në rrugën e duhur për t’i rrëmbyer City-t titullin kampion këtë sezon./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *