Trajneri i ri i Vorës ka besim te mbijetesa, Maho: Merkato e fuqishme na garanton

0

Në këto dy javë përgatitje gjatë muajit janar 2019, ekipi i Vorës ka patur shumë lëvizje, largime por edhe afrime. Ndërkohë që u larguan dhjetë futbollistë në startin e përgatitjeve të këtij muaji, drejtuesit e skuadrës vorake konfirmuan menjëherë trajnerin e ri, pasi Gerald Çani ishte larguar pas javës së 14-të. Të larguarit ndoshta nuk i shqetësuan drejtuesit, të cilët menjëherë menduan për bankinën me Rezart Mahon, ish-trajner te Mamurrasi dy sezone më parë, por edhe afruan disa futbollistë.

Për SportEkspres.com, trajneri i ri i Vorës, Rezart Maho, deklaroi se skuadra ende nuk është formatuar, pasi ka shumë lëvizje. “Duke u larguar disa futbollistë që mbyllën pjesën e parë të sezonit, realisht Vorës i duhen disa afrime të reja për të garantuar mbijetesën, edhe pse ka lojtarë cilësorë. Drejtuesit më kanë premtuar merkato të fuqishme dhe në vazhdim do bëjmë më të mirën për të mbijetuar”, kështu theksoi trajneri i ri i Vorës.

Lëvizjet te Vora janë të dukshme gjatë muajit janar 2019, pasi janë larguar fillimisht trajneri Gerald Çani, e më pas futbollistët Bërdufi, Nuri, Ferraj, Veliaj, Gjonaj, Mziu, Mehidri, Sula, Thaçi dhe Sejdini. Ndërsa janë afruar Klajdi Kuka, Gerald Tusha e Laurent Ismailaj, së bashku me trajnerin Rezart Maho. Në 14 javë kampionat Vora grumbulloi 6 pikë dhe renditet në vendin e 10-të të Grupit A në Kategorinë e Parë.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.