Tërbohen në Rusi, Vida mund të dënohet për një mesazh pro Ukrainës

Fitorja ndaj Rusisë ka bërë të shpërthejë festa në Kroaci, ndërkohë që edhe lojtarët e stafi i kombëtares kroate kanë festuar me të drejtë, pasi për herë të dytë në histori Kroacia mbërrin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.

Ish-futbollisti i njohur kroat, tashmë skaut dhe një ndër njerëzit e besuar të Zllatko Daliçit, Ognjen Vukojeviç, ka postuar në Instagram një video ku festonte kualifikimin.

Në krah të tij ishte edhe një ndër heronjtë e fitores së djeshme, mbrojtësi Domagoj Vida, i cili shënoi ndaj Rusisë. Të dy kishin një përkushtim edhe për Ukrainën dhe Dinamo Kievin, ku kanë kaluar shumicën e karrierës. Duke ditur tensionin e jashtëzakonshëm mes Rusisë e Ukrainës, një dalje e tillë mund të ishte shmangur.

“Kjo fitore është për Ukrainën dhe Dinamon”, tha Vukojeviç në videon që e fshiu pak më vonë, ndërsa Vida shtoi: “Lavdi Ukrainës”. Kjo e fundit është një shprehje që simbolizon rezistencën ukrainase kundër Rusisë, ndaj mediat ruse kanë denoncuar gjithçka dhe kanë sulmuar ashpër Vidan dhe Vukojeviçin, duke kërkuar dënimin e tyre.

FIFA ka hapur një hetim urgjent dhe tashmë Vida rrezikon të humbasë gjysmëfinalen kundër Anglisë. Është një situatë deri diku e ngjashme me atë të Xhakës dhe Shaqirit, por ata bënë shqiponjën sepse janë shqiptarë në gjak, ndërsa Vida mund të dënohet sepse fraza e tij konsiderohet provokim nga rusët.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *