Skënderbeu nuk shqetësohet nga listat e UEFA-s: Vendos vetëm CAS-i!

Vendimi po vonon shumë, por administratori i Skënderbeut, Gerhard Takaj, qetëson tifozët. Sipas tij, asgjë nuk është e mirëqenë pa u shprehur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv

Leonard Trebicka

 

Vonesa e zgjatur e CAS-it në lidhje me fatin e Skënderbeut, e ka bërë situatën në Korçë shumë stresuese. U bënë ditë që pritet një vendim dhe për dje u tha se do të dilte me siguri, por sërish CAS-i nuk ka bërë të ditur asgjë për sa i takon pjesëmarrjes ose jo të Skënderbeut në Champions. Në këto kushte, shpresat e tifozëve korçarë duket sikur po pakësohen, aq më tepër që me shpejtësi është përhapur një lajm për publikimin në faqën e UEFA-s të skuadrave pjesëmarrëse të dy kompeticioneve, Champions League dhe Europa League. Në këto lista nuk figuronte emri i Skënderbeut, por i Partizanit në Europa League dhe Kukësit në Champions. Kjo ka bërë që të aludohet se CAS-i mund të ketë marrë një vendim negativ.

KLUBI – Por klubi korçar ka qartësuar se nuk bëhet fjalë për diçka të re në listat e UEFA-s dhe se vetëm CAS-i vendos, nëse Skënderbeu luan apo jo në Europë. Klubi korçar pret vendimin, që nuk dihet pse po vonon kaq shumë. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me administratorin e klubit “Skënderbeu”, Gerhard Takajn, i cili i ka qetësuar të gjithë, teksa ka pohuar se UEFA dihet çfarë vendimi ka marrë dhe se do të jetë CAS-i që vendosë përfundimisht: “Nuk na interesojnë lajmet në rrjetet sociale, apo se ç’ndodh, përveç asaj që ne presim. CAS-i nuk e ka dhënë përgjigjen zyrtare dhe jemi në pritje. Brenda kësaj jave situata do të jetë e qartë, nuk ka dyshime. Pas vendimit do të flasim ne, të tjerët le të flasin tani”, – është shprehur administratori i Skënderbeut, Gerhard Takaj, duke përsëritur qëndrimin e gjithë drejtuesve të klubit korçar.

CAS-I – Ajo që po i habit në një farë mënyre korçarët është vonesa për zbardhjen e vendimit nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv. U shpresua shumë se përgjigja zyrtare nga CAS-i do të dilte dje, sepse koha është limituar shumë, por sërish tifozët e Skënderbeut duhet të presin. Drejtuesit e klubit jugor vazhdojnë të shprehen me shumë besim se vendimi do të jetë pozitiv, por duhet pranuar se në radhët e tifozërisë dyshimet kanë filluar, duke parë se kanë kaluar shumë ditë në pritje të këtij vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *