Shpërthen Godelli: Federatë dhe shtet për turp, nuk duan kampionë, por servilë

0

Daniel Godelli nuk do të shkojë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Amerikë, pasi me një vendim qesharak Ambasada Amerikane ia ka refuzuar dhënien e vizës, justifikuar me “nuk ka garanci të mjaftueshme për kthim në Shqipëri”. Një frazë që mijëra shqiptarë e kanë provuar kur kanë aplikuar për të shkuar në SHBA, edhe pse pas aplikimit të katërt apo të pestë krejt papritur, pas 400-500 dollarësh të shpenzuar në aplikime, amerikanët janë bindur: “Po, ti vlen”, a thua se është një garë bukurie apo The Voice.

Tani Godelli ka humbur durimin dhe ka shpërthyer, duke akuzuar hapur Federatën dhe shtetin shqiptar, që sipas tij jo vetëm që nuk i kanë dalë zot, por edhe kanë maskuar të vërtetën, duke shpikur lloj-lloj historish. Me një postim në Facebook, peshëngritësi i njohur zbraz dufin e vet, pas pritjes së gjatë dhe mbetjes jashtë Botërorit. Imagjinoni sikur t’i thonë një gjermani a anglezi: Ti nuk shkon në Botërorin e futbollit, sepse nuk kemi garanci që do kthehesh në shtëpi!

MESAZHI I GODELLIT

“Jam sportisti i cili ka marrë çdo lloj medaljeje që ekziston në glob. Më mungonte titulli botëror, të cilin e fitova në 2014 dhe ma hoqën më pas padrejtësisht,më mungon dhe medalja olimpike.

Isha në formën që jo vetëm të merrja medalje në Botërorin që behet në Amerikë, por edhe te tentoja rekordin botëror, dhe nuk më jepet viza sepse s’ka garanci që unë do kthehem. Kam pasur oferta nga shumë shtete të botës që kur isha fëmijë dhe kurrë se kam çuar në mendje që të mund të ndërroj flamurin tim, për hir të atyre heronjve që kanë dhënë jetën për këtë flamur dhe unë do isha i gatshëm në çdo sekondë të jetës time të jepja jetën për këtë flamur e kurrë për karriget e cilitdo politikan apo drejtues aktual të federatës sime, që flasin për flamur, ndërkohë që nuk dinë sakrificën e një sportisti që vërtet lufton për flamur e jo për monedha, qe kurrë nuk ia kam kërkuar shtetit tim.

Dola kampion Europe në Kroaci në një stil, por të dalë një njeri dhe të thotë që për atë medalje të artë në Europë unë kërkova një qindarkë. Nuk kam kërkuar kurrë asgjë, përveç atyre që më takojnë. Tani kërkova që të merrja pjesë në Botëror, të tregoja se kush jam, që nuk marr doping po jam vetë doping, doping i llojit që urrejtjen dhe moskorrektësinë nga gjithë këta njerëz e kthej forcë fizike dhe mendore, sepse unë s’kam nevojë për ampula apo kapsula, që të jem ky që jam dhe të arrij gjëra të cilat njerëzit thjesht nuk i perceptojnë dot.

I them federatës time që unë nuk humba sepse nuk u ngjita ne pedant, as nuk dështova, por ju, ju humbët , ju mbani përgjegjësi për këtë, jo unë.

Duke theksuar që peshëngritja për shumicën e njerëzve është sport i rëndë, për mua është një lojë ‘play station’.

Turpi u ngelet ju si federatë e ju si shtet, që nuk doni një kampion bote, por doni njerëz që të vijnë për fushatë dhe servilë, por jo, unë kurrë nuk mund të bëhem pjesë e një partie, sado padrejtësi të më bëhen.

Unë jam DANIEL GODELLI, ai që frikëson botën në profesionin e tij, po ju kush jeni?!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image