Shiroki Brijeg “hedh grepat” te Teuta

Boshnjakët duan të rikthejnë në ekip Ante Hrkaç, mbrojtësin e formuar si lojtar te ky klub. 26-vjeçari është nën kontratë me durrsakët

Bojan Markoviç ishte një nga pikat më të forta të Teutës në pjesën e dytë të sezonit 2016-2017. Boshnjaku, së bashku me Rustem Hoxhën, arritën të bëjnë mirë në prapavijë, por më pas nuk pati akord për vijimin e bashkëpunimit. Nisur nga ajo që dha, mbrojtësi mendoi se meritonte rritje rrogë. Rreth 3500 euro në muaj kërkoi, por Teuta e pa të arsyeshme të gjente një tjetër zgjidhje. E gjeti te Çelik, ku mori Ante Hrkaç, i cili kishte qenë shok skuadre me Markoviç. Shtatlartë dhe i aftë madje të luajë edhe në mesfushë. Ndër të tjera do të paguhej edhe më pak. Teuta qëlloi në shenjë, pasi kroati i lindur në Bosnje ka bërë një sezon të mirë. U aktivizua në 28 ndeshje sezonin e fundit dhe arriti madje të realizonte tre gola. Edhe pre mbrojtës, goditja e tij me këmbë është për t’u vlerësuar. Mbrojtësi është vetëm 26 vjeç dhe është nën kontratë me Teutën. Pritet që mes tij dhe drejtuesve të ketë një bisedë për vijimin e bashkëpunimit, ndërkohë që për të nuk mungojnë as ofertat, por duhet theksuar se është nën kontratë me Teutën. Mësohet se për të interesohet Shiroki Brijeg, klubi boshnjak ku edhe ai është formuar si futbollist dhe më pas u huazua te Gosk Gabela. Aty u aktivizua për dy sezone. Ka provuar një eksperiencë të shkurtër në Austri, për të kaluar te Vitez dhe më pas te Segesta Sisak në ligën e dytë kroate. Lokomotiva Zagreb e bëri pjesë te ekipit të vet, por më pas e huazoi te Luçko dhe Çelik, nga edhe ku e mori Teuta verën e shkuar. Tanimë Shiroki Brijeg e ka vënë në shënjestër dhe normalisht Hrkaç mund të “joshet”, pasi skuadra boshnjake luan edhe në Ligën e Europës dhe do të përballet me sllovenët e Domzhale. Nisur nga kjo, gjithçka pritet të sqarohet shumë shpejt. Largimi i tij do të linte një gropë në mbrojtjen e Teutës, pasi momentalisht ka mbetur vetëm Silvester Shkalla në dispozicion të Bledi Shkëmbit. Më parë është larguar edhe Amir Bilali, i cili do të luajë me Shkupin sezonin e ardhshëm.

TË HUAJT – Teuta do të ketë hapësira për të afruar lojtarë të huaj për sezonin e ardhshëm. Deri më tani janë konfirmuar disa largime, teksa ende pa u mbyllur sezoni ishte mesfushori Tarik Çmajçanin ai që bëri gati “valixhet” dhe u kthye në shtëpi. Më parë ishte larguar edhe Reza Karimi, sulmuesi anësor nga Irani që durrsakët e kishin marrë në huazim nga Skënderbeu. Masahadu Alhasan dhe Anel Dediç janë larguar zyrtarisht. Të dy ishin elementë me cilësi, por u vendos që të mos vijohej bashkëpunimi dhe palët shtrënguan duart. Me shumë mundësi e njëjta gjë do të ndodhë edhe me brazilianin Hugo De Marki, 30-vjeçarin që te Teuta luajti vetëm dy ndeshje. Mbetet vetëm që të konfirmohet nga ana e klubit largimi i tij. Burhan Mustafov është një tjetër lojtar i huaj që nuk do të jetë pjesë e “Djemve të Detit”, por ai ishte maqedonas dhe nuk numërohet si i huaj. Bojan Gjorgievski, Ante Hrkaç dhe Latif Amadu janë lojtarët që e kanë kaluar klasën me paraqitjet e tyre. Vladimir Prenga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *