Rexhinaldo gati, me Flamurtarin në Krujë

Sulmuesi tashmë është rikuperuar plotësisht dhe ka provuar edhe të luajë me grupin. Për shkak të fushës, ndaj vlonjatëve luhet në fushë asnjanëse

Vladimir Prenga

Ndryshe nga se po ndodh me disa prej skuadrave të tjera të Superiores, Laçi nuk ka programuar asnjë ndeshje miqësore në fundjavë, të paktën jo deri dje në mbrëmje. Bardhezinjtë po përgatiten me moralin lart për sfidën e radhës në kampionat me Skënderbeun, teksa fitorja me Vllazninë ka kthyer normalitetin dhe ka larguar presionin, pasi skuadra që tashmë drejtohet nga Gentian Mezani kishte humbur dy takime radhazi dhe nuk kishte shënuar asnjë gol ndaj Luftëtarit dhe Kukësit. Për ndeshjen me Skënderbeun stafi teknik e ka grupin e lojtarëve të plotë, pasi edhe Rexhinaldo është bashkuar me grupin. Të martën ai zbriti në fushën e blertë, por nuk e çoi deri në fund stërvitjen, duke mos u përfshirë në lojën mes grupit, që aktualisht nuk është i plotë, pasi me ekipin Shpresa janë grumbulluar për ndeshjen me Islandën portieri Gentian Selmani, mbrojtësi Amer Duka dhe mesfushori Sherif Kallaku. Gatishmëria e sulmuesit nga Mozambiku e bën “top” skuadrën kurbinas, që do të kërkojë të mos dalë pa pikë nga Korça.

NDESHJA ME FLAMURTARIN – Pas përballjes me Skënderbeun, Laçi do të presë skuadrën e Flamurtarit, ndërkohë që kjo ndeshje do të luhet në fushë asnjanëse. Problemet me tapetin e stadiumit kanë bërë që direkt pas ndeshjes me Vllazninë të mbillet bari i ri dhe kjo kërkon kohë që fusha të jetë në kushtet optimale. Ndaj vlonjatëve nuk do të luhet në shtëpi, por në stadiumin “Kastrioti” të Krujës ditën e hënë prej orës 14:00. Edhe para dy sezonesh ky stadium u kthye në “shtëpinë” e kurbinasve për rreth dy muaj, për shkak se po vendosej tapeti i ri. Laçi do të kthehet në shtëpi në fund të muajit, kur do të presë skuadrën e Kamzës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *