Pse i duhet dhënë fund debatit Shqipëri-Kosovë

0

Klithma e atyre djemve të cilët ndaluan pas 20 ndeshjesh rresht kampionët në fuqi të Europës, gjermanët, nuk ishte vetëm festa e një barazimi ndaj një kolosi të një futbolli ndërkombëtar. Madje nuk ishte vetëm festa e futbollit. Ishte triumfi i një populli që ka 20 vite që e luan këtë sport mbi të gjitha për t’i treguar botës se ata janë një realitet, tanimë jo vetëm i pakthyeshëm, por protagonist. Në të njëjtën pasdite, 19-vjeçarët mundën Sllovakinë në Elite Round, ndërsa përfaqësuesja e madhe arriti fitoren e dytë në 4 ditë. Në të njëjtin muaj 2 vite më parë FIFA dhe UEFA vendosën: po sikur Kosova të luajë njësoj si të gjithë? Skeptikët nxituan të thoshin që nuk bëhet, pesimistët thanë, edhe nëse bëhet do jenë gjithnjë një realitet jo vetëm i paqëndrueshëm, por madje humbës.

Ata që për vite radhë në mënyrë të dëshpëruar kishin kërkuar të mos ndiheshin më të izoluar, nuk u dorëzuan kurrë, shpiknin kampionate rajonale, luanin nëpër lëndina dhe luteshin nëpër dyert e botës si çifutët në shkretëtirë për ndeshje ndërkombëtare, tani gjenden aty, në zemër të këtij futbolli, që dalëngadalë ka filluar të thotë: Kosovo! Agjencitë e huaja nxituan menjëherë të martën në mbrëmje për ti konsideruar djemtë e artë të futbolli të shtetit më të ri të kontinentit si e ardhmja e sigurt, teksa në rrugën  e tyre ndaluan ata që nuk i kishte ndalur kush prej 3 vitesh, gjermanët që vinin me yjet e Dortnundit, Shtutgartit, etj.

Talent apo dëshirë? Mund të thuash pak nga të dyja. Një brez i rritur brenda apo jashtë kufijve, me modele të shqiptarëve që kishin çuar Zvicrën në Botëror, me ndërgjegjen e pastër dhe me thirrjen e një kombi që ka dashur gjithë jetën të jetë Shqipëri, por që tani më shumë se kurrë kërkon t’i tregojë botës se është një padrejtësi e vërtetë që ende nuk janë si të tjerët. Euforia dhe entuziazmi i kanë përfshirë të gjithë. Të rinjtë kalojnë ture nëpër Europë, Shpresat gjenden në vend të tretë, kampionati është gjithnjë më i fortë, Përfaqësuesja duket në rrugën e duhur para Nations League.

Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, si guxon dikush sot e kësaj dite t’u kërkojë shqiptarëve të Kosovës të mos e zgjedhin Kosovën, si mund t’u thuash atyre që kanë luftuar për këtë ditë që ‘jo, ju nuk duhet ta vishni atë fanellë’?. Si mund t’u përmendësh verdheblunë, kur ata ndihen, janë dhe thërrasin, “O sa mirë me qenë shqiptar”?. Vëllai i vogël po rritet. A mund të bëhesh xheloz për të?

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here