Partizani ende “thatë”, Kukësi merr sërish pikë në Tiranë

Kampionët në fuqi nuk fitojnë dot ndaj Partizanit jashtë fushe, por nga ana tjetër barazimin dinë ta marrin. Ashtu si sezonin e shkuar, verilindorët kanë marrë një barazim të artë, duke u ngjitur në kuotën e 4 pikëve dhe duke gjetur qetësinë e humbur pas startit me luhatje në lojë e rezultate.

Edhe pse me Milinkoviç në drejtim u mendua se Kukësi do të ndryshonte tërësisht lojë, sot u pa Kukësi i sezonit të fundit, solid në maksimum në prapavijë dhe i përqendruar kryesisht në lojën mbrojtëse.

Në fakt, Kale pati një super rast në pjesën e parë dhe Guri po ashtu në të dytën, duke gabuar në mënyrë të pafalshme, por Partizani bëri lojën, zotëroi fushën dhe ushtroi presion të vazhdueshëm.

Presion nuk përkthehet në fitore, sepse Çani dukej ende larg formës perfekte fizike dhe në mesfushë mungonte një lojtar i aftë t’i jepte pasimin e fundit, apo të shënonte vetë. Progni ishte shumë aktiv dhe rrezikoi disa herë, edhe Sukaj në fundin e takimit, apo Batha me goditje dënimi, por sa për fajin e vet, ashtu edhe për meritën e Kukësit dhe portierit Koliçi, goli nuk u duk.

Pika e parë për Partizanin, ende asnjë gol i shënuar, por është vetëm java e dytë.

E hënë, më 18 shtator, ora 19:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

Partizani – Kukësi        0-0

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda, Kotobelli, La Kamera, Batha, Adorjan, Progni (Bardhi 68′), Trashi, Çani (Sukaj 71′). Të gatshëm: Xhika, Selvaxho, Malota, Vila, Herrera. Trajner: Mark Juliano

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Imami (Rrumbullaku 58′), Bakaj, Kërkotiç, Zeqiri, Kale, Guri, Alijev (Shtubina 63′). Të gatshëm: Frashëri, Idrizi, Hoxha, Ethemi, Musolli. Trajner: Mlladen Milinkoviç

Kartonë të verdhë: Adorjan 66′, La Kamera 74′ / Bakaj 74′

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Ermal Barushi, Dojando Myftari, Rejdi Avdo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *