Panuçi, një verë kohë për të na rikthyer Kombëtaren

Tre humbje rresht, 8 gola të pësuar, eksperimente që nuk bindin, lojë apatike, mungesë motivimi dhe cilësi që lë për të dëshiruar. Çfarë na mësuan miqësoret e fundit të kombëtares?

Fillimisht që futbolli nuk ka moshë. Ca më shumë ekipi kombëtar. Një trajner është aty për të bërë zgjedhjet e duhura në momentin e caktuar. Perspektiva nuk është detyrim i tij. E parë kështu, lojtarë si Agolli, Basha, Kukeli apo ndonjë tjetër duhet të rikenë shanset e tyre në shtator. Nations League është një aktivitet specifik. Do luhen gjithsej vetëm 4 ndeshje dhe aty duhet të jetë kontributi i të gjithëve.

Zgjedhjet nuk duhet të jenë kokëforta. Futbollistë si Kaçe, Memushaj apo Lila, lojtarë me përvojë të jashtëzakonshme në skuadër, mund të risin konkurrencën në fushë ose nga stoli.

Fanella fitohet, nuk dhurohet. Disa prova në krah të majtë, në qendër të mesfushës dhe në sulm, nuk dhanë atë që pritej. Sigurisht me rikthimin nga dëmtimi të Grezdës dhe Xhakës, apo me një Sadiku që luan rregullisht do flisnim ndryshe.

Mavraj, lideri i mbrojtjes, mund të garantojë më shumë stabilitet në muajin shator. Ai me siguri do ndryshojë skuadër, sepse ajo çka ndodhi në Hamburg duhet të ketë ndikuar në formën  tij.

Në fund, por jo nga rëndësia, trajneri. Ka kaluar një vit dhe ende nuk na ka mësuar me një formacion tip dhe me një skemë fikse. Sigurisht që ndryshimet në ndonjë rast kanë qenë të imponuara, por pa asnjë diskutim që stabiliteti është i nevojshëm. Provoni të pyesni lojtarët. Shumica nuk e dinë nëse duhet të ndihen titullarë dhe ca prej tyre nuk e dinë madje as pozicionin ku luajnë.

Të gjitha këto që thamë, në një ekip kombëtar i zgjedh dhe zgjidh trajneri. Kombëtarja nuk është klub ku përgjegjësitë varen nga buxhetet, financat, merkatoja, politikat e tregut dhe marketingut. Kombëtarja ka një pronar. Ai është Panuçi dhe këtu nuk flitet ‘e bën dot apo jo’. Duhet ta bëjë.

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *