Një sqarim për pseudoanalistët, Ilir Daja thumbon: Nuk jemi si ata, vetëm në shtëpi s’janë! Dua të kthehem te Tirana  

0

Nga Klaudio Ndreca

Ilir Daja është një prej trajnerëve shqiptarë më të mirë dhe më të vlerësuar, nisur nga vetë puna e tij dhe sukseset e arritura përgjatë viteve të fundit. Me suksese e ka mbyllur kudo që ka shkuar, duke marrë më të mirën e mundshme.

I ftuar në emisionin “Fan Zone”, trajneri i Skënderbeut ka thumbuar ekipet e Superiores, duke u shprehur se ndryshe nga të tjerët që ndoshta nuk e kanë shkëputur fare stërvitjen, korçarët kanë respektuar karantinën e vendosur nga ana e shtetit.

“Nuk jemi si disa që thonë që po zbatojmë karantinën dhe pastaj postojnë foto ku gjenden gjithëkund vetëm jo në shtëpi, por ne kemi zbatuar rregullat e shtetit shqiptar. Unë kam thënë që duhet të niste sa më shpejt stërvitja individuale, të respektohet higjena dhe në fund thashë që nëse vonohet shumë përgjigja, atëherë më mirë të mbyllet. Të gjitha klubet duhet të kenë kohën e duhur për rikthimin e kampionatit. Rreth 30% e ekipeve kanë zbatuar karantinën e shtetit, ndërsa të tjerat ndoshta nuk janë shkëputur fare nga stërvitja.

Tani le t’i përgjigjemi pak atyre specialistëve të futbollit që thonë se tre javë përgatitje do të jenë të mjaftueshme për t’u kthyer në kampionat. Le të heqim një paralelizëm të vogël. Në muajin dhjetor lojtarët shkëputen në datën 25 dhjetor dhe kthehen në 3 janar. Aty janë të relaksuar se shkojnë për festime dhe kur kthehen, ne si trajner e shohim që ato tre javë përgatitje nuk na dalin për t’i kthyer në formën e duhur.

Pastaj për të folur për situatën tani, që ka tre herë më shumë largim nga futbolli për lojtarët, por edhe faktin se kanë qendruar gjithë ditën në shtëpi duke parë në televizor atë që ka shkaktuar pandemia. Pra është goditur pjesa psikologjike dhe nuk i kuptoj ata pseudo-analista. Të kthehem te Tirana? Kam dëshirë pasi është një peng i karrierës sime dhe është skuadra që ka shumë tituj në futbollin shqiptar. Unë kam shumë rikthime në karrierë, por kur të vijë momenti, pasi tani e ka trajnerin Tirana dhe stafin”, u shpreh Daja. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.