Në gjurmët e Bakajt, ofertë e çmendur për Gurin

Sulmuesi po përjeton një sezon fenomenal, me 11 gola në Superiore. Vetëm 24 vjeç, është gati për hapin e madh dhe e duan në Korenë e Jugut

Sindrit Guri është njeriu i momentit te Kukësi: gola e asiste, sulmues që bën repart i vetëm, Pero Pejiç është harruar me shpejtësinë e dritës te kampionët në fuqi, që këtë sezon në sulm nuk kanë pasur fare probleme dhe çuditërisht kanë çaluar në prapavijë. Tani duket se Kukësi ka shansin të imitojë Skënderbeun, sepse pasi shiti Elis Bakajn për rreth 100 mijë euro në Bjellorusi, te Shahter Soligorsk, tashmë mund të shesë edhe Gurin. Burime brenda klubit kampion në fuqi bëjnë të ditur se nga Koreja e Jugut ka ardhur një ofertë e jashtëzakonshme, rreth 400 mijë euro, për sulmuesin e fuqishëm, autor i 17 golave këtë sezon.

GANGUON FC – Në Korenë e Jugut kampionati sapo ka nisur dhe merkatoja mbyllet më 29 mars. Janë luajtur 3 javë kampionati dhe klubi që e kërkon Gurin është një ndër më të mirët në këtë moment, sepse bëhet fjalë për Ganguon FC, që i ka fituar 3 ndeshjet hapëse të kampionatit. Tani Ganguon kërkon përforcime, pavarësisht se ka disa sulmues cilësorë dhe mes tyre edhe një serb e një brazilian. Për Gurin oferta vlen vetëm për një javë, deri në fund të muajit, përndryshe gjithçka do të shtyhet për në korrik, sepse më 2 korrik hapet sërish merkatoja. Guri vetë nuk do të ishte kundër për një transferim në Korenë e Jugut, atje ku ka luajtur edhe Sokol Cikalleshi dhe të ardhurat janë fantastike, edhe pse nuk është e lehtë për një shqiptar që të ambientohet me jetën dhe mentalitetin.

KUKËSI NË DILEMË – A mund të shitet sulmuesi më i mirë i ekipit pasi është shitur fillimisht shënuesi më i mirë? Pas Bakajt, e ka radhën Guri dhe sërish oferta joshëse detyron Kukësin të vendosë mes aspektin sportiv dhe atij financiar. Gjithçka pezull, vendi i dytë dhe kupa e Shqipërisë janë objektiva tepër madhorë për të shitur sulmuesin kryesor, por nëse oferta kap gjysmë milionë euro, si mund të thuhet jo? Nga ana tjetër, Guri del i lirë në treg në verë, pra Kukësi do të humbiste një shans të pabesueshëm për të përfituar miliona.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *