Morina: 500 mijë € të shpenzuara, kam një projekt për Tiranën

Tirana aktualisht financohet nga presidenti Refik Halili dhe Bashkia Tiranë, teksa aksionet janë të ndara 66 me 34 për qind. Së fundmi është bërë edhe vlerësimi i tyre, pasi aksionari në minorancë kërkon të shesë pjesën e vet. Julian Morina është një nga biznesmenët e interesuar për t’i blerë ato.

Sikurse ai shprehet, ai pret që Bashkia të njohë shpenzimet që ka bërë në të shkuarën, pasi kjo është miratuar edhe nga ana e Këshillit Bashkiak. “Financimi që kam bërë unë, i dokumentuar, është rreth 500 mijë euro. Ligjet dhe Këshilli Bashkiak atëherë thoshte se donacioni ynë do llogaritej në rast se aksionet do dilnin në shitje. Edhe donatori tjetër (i referohet Halilit që ka marrë 66% të aksioneve) në të njëjtin ligj dhe logjikë i ka marrë”.

Më tej ai shton: “Nuk besoj se është preferenciale, është me ligj. Është thënë që donatorëve do u njiheshin investimet e bëra. Këshilli e ka miratuar që donacionet tona të njihen dhe të na llogariten në aksione”.

Morina dëshiron të rikthehet në klubin bardheblu: “Jam një ofertues në këtë ankand. Padyshim edhe çdo donator tjetër që ka qenë duhet trajtuar njëlloj. Është logjike dhe ligjore që lekët qe kemi shpenzuar dhe janë të dokumentuara, të njihen. Financimi që kam bërë, i miratuar nga Këshilli, njihet në momentin që shiten aksionet”.

Largimi nga Tirana nuk ka qenë më i miri, por Morina ka hedhur gjithçka pas krahëve dhe deklaron se nuk e ka aspak problem të bashkëpunojë sërish me presidentin Halili. “Mosmarrëveshjet, nëse quhen të tilla, erdhën se në raport me investimet duhet të merrja 20% të fitimeve. Kam kërkuar të jem pjesë e klubit. Mund të jenë edhe të tjerë që duan të investojnë, nuk ka rëndësi kush ka shumicën. Unë personalisht nuk e kam problem. Të gjithë jemi për të mirën e Tiranës”, tha Morina për RTSH. Në mbyllje, ai thekson se ka një projekt: “Kam një projekt që do bëhet prezent në momentin që unë marr aksionet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *