Mbijetesa në xhep, në Shënkoll mendojnë për sezonin e ardhshëm

Në Kategorinë e Parë gara është e ndezur në zonën play-out, ku disa skuadra janë në luftë për mbijetesë. Përjashtim bën Shënkolli, që ka mjaftueshëm pikë për të qëndruar i qetë tani e tutje, ndaj duket se sezoni ka marrë fund para kohe, edhe pse duhen edhe pak pikë.

Te shtunën Shënkolli do të presë Ilirinë, në një sfidë që mund të quhet edhe derbi verior i grupit të jugut. Të shtunën në pankinën e Shënkollit nuk do të jetë i ulur Arjan Margjoni, por Alket Kruja që do ta drejtojë teknikisht skuadrën deri në fund të këtij sezoni. Këtë e bëri të ditur shefi i klubit të Shënkollit Armado Loku gjatë një deklarate për “Sport Ekspres”: “Deri në mbyllje të sezonit skuadrën do ta drejtojë teknikisht lezhjani Alket Kruja në vend të Arjan Margjonit, që do të mbetet përsëri pjesë e stafit. Tashmë skuadra po u jep fund përgatitjeve për sfidën e radhës që do ta luajmë në shtëpi ndaj Ilirisë, një ndeshje që po e vlerësojmë maksimalisht, pasi na duhet patjetër fitorja për të siguruar mbijetesën në këtë nivel që është edhe objektivi ynë. Pozitive për ne është se pjesën dërrmuese të futbollistëve i kemi në dispozicion dhe kjo është mjaft e rëndësishme, pasi mungesat ishin ato që na mohuan fitoren në Kuçovë, ku shkuam me 6 titullarë mangut. Besoj se pjesa e mbetur e sezonit do të jetë e suksesshme, madje me cilësi nën drejtimin e Alket Krujës. Që tani jemi duke menduar edhe për sezonin e ardhshëm, ku besoj se do të mundësojmë forcimin e skuadrës me elemente cilësore. Është ende heret për të zbuluar ndonjë emër, por kontakte kemi nisur që tani me futbollistë të nivelit të lartë për këtë kategori”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *