Luftëtari do të përjashtohet nga Europa, UEFA pritet të dërgojë edhe gjobën

0

Për herë të fundit kishte ndodhur në vitin 2016: atë sezon të paktën 2 ndeshje të Skënderbeut ishin “qartësisht të manipuluara për përfitime financiare”, sipas vendimit përfundimtar të UEFA-s, bazuar në analizën e sinjaleve të marra nga tregu i basteve.

Më pas, një hetim gjigant çoi në përjashtimin e Skënderbeut për një vit, në pritje të gjyqit final, që erdhi dhe ishte fatal, sepse rezultoi në 10 vite përjashtim dhe 1 milion euro gjobë. Në fund të vitit do të zhvillohet edhe raundi final i betejës dhe nëse UEFA e fiton qoftë edhe pjesërisht, atëherë futbolli ndryshon përgjithmonë, sepse do të plasin dënimet pa qenë nevoja për përgjime, dëshmi e të penduar.

Ndërkaq, ajo që ndodhi dje në Elbasan na ktheu 2 vite pas. Ishte një turp i madh për të gjithë, ndeshja Luftëtari-Ventspils ishte qartësisht e trukuar dhe kompania që monitoron tregun botëror të basteve për llogari të UEFA-s, Sportradar, ka marrë sinjalizime pa fund nga kompanitë e basteve anembanë Europës. Nuk duhej ndonjë sy specialisti për të kuptuar skandalin e ndeshjes së djeshme dhe goli në minutën e 93-të është prova më e qartë që do të fundosë Luftëtarin.

Duke pasur parasysh precedentin Skënderbeu, që u përjashtua për një vit në mënyrë provizore, në pritje të hetimit, tashmë edhe Luftëtari është “de facto” jashtë Europe, sezoni i ardhshëm do të luhet “për qejf”, edhe sikur të kapë vendet e kreut.

Gjithçka tashmë është shumë më e shpejtë se në të shkuarën, nuk nevojitet një hetim disa-vjeçar, por vetëm pak javë analiza të ekspertëve të Sportradar dhe UEFA-s, ndërkohë që çështja nuk do të mund të apelohet më as në CAS. Precedenti Skënderbeu ka vendosur një standard të ri në futboll dhe Luftëtari e ka marrë parasysh këtë gjë, e di shumë mirë që u dogj.

Nëse në fund të vitit edhe Skënderbeu nuk do ta fitojë betejën kundër UEFA-s në CAS, dënimi për Luftëtarin nuk do të ndalet te një vit, sepse inspektorët e UEFA-s do të kërkojnë të paktën 5 vite përjashtim nga kupat e Europës dhe një gjobë prej të paktën 250.000 eurosh, pikërisht paratë që i takojnë Luftëtarit për pjesëmarrjen e parë të turpshme në kupat e Europës.

Ky dënim do të godasë rëndë arkat e Luftëtarit, por me sa duket i kanë marrë parasysh të gjitha, sepse edhe Federata Shqiptare e Futbollit i ka paralajmëruar klubet pjesëmarrëse në kupat e Europës: përlyerja çon automatikisht te përjashtimi dhe humbja e të ardhurave nga UEFA, që tani e tutje nuk do të tolerojë askënd, aq më shumë që priste sjellje korrekte nga klubet tona, pas furtunës mbi Skënderbeun.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.