Lika: Europa pranë, le ta vulosim që sot!

Trajneri i Luftëtarit: Partizani është ekip i mirë. Kemi punuar në aspektin teknik dhe taktik me skuadrën. Nuk do t’i ndjejmë mungesat

Gëzim Beqiri

Për të mos e dëmtuar fushën e stadiumit, dje ekipi i Luftëtarit e ka zhvilluar seancën e fundit në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjen e sotme ndaj Partizanit në “Fushën e Vjetër”. Si zakonisht stërvitja është mbyllur me një lojë midis dy ekipeve ku qartazi në njërin prej tyre konstatoheshin futbollistët që do të jenë titullarë dhe që do ta nisin ndeshjen nga fillimi. Do të ketë disa ndryshime në formacionin gjirokastrit të imponuara nga mungesa e Lejdi Liçajt dhe Albano Aleksit të ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë në takimin ndaj Kamzës. Rikthehet braziliani Xhekson mbas tre javëve mungesë për arsye dëmtimi dhe do të jetë Donald Rapo që do të zëvendësojë L.Liçaj. Ky do të jetë formacion i fillimit. Trajneri Hasna Lika theksoi në konferencën e djeshme për shtyp se futbollistët në dispozicion janë në të njëjtin nivel dhe që kanë qenë në shumë ndeshje të tjera titullarë, por mungesa e Aleksit dhe Liçaj nuk ndikojnë për mirë në momentin e tanishëm dhe në një ndeshje vendimtare. Kjo kuptohet me lehtësi, pasi numri një i stolit është i detyruar të bëjë lëvizje në rreshtimin taktik të skuadrës në fushën e lojës.

Profesor, çfarë kërkoni në ndeshjen kundër Partizanit?

– Natyrisht kërkojmë rezultat pozitiv ndaj Partizanit, pasi një fitore në ndeshjen kundër “demave” do të na siguronte pjesëmarrjen në Europa League. Pavarësisht diferencës së pikëve nuk ka përfunduar asgjë përderisa janë shumë pikë në lojë. Nuk është vetëm Partizani rivali ynë, pasi janë dhe skuadra të tjera që luftojnë. Objektivi nuk mbaron nesër (sot) edhe nëse fitojmë, por tri pikët janë shumë të rëndësishme. Ata vendosin Evropën, prandaj do të japim maksimumin që të mos e rrezikojmë qëndrimin në vendin e tretë deri në përfundim të kampionatit.

– Si e vlerësoni ekipin e Partizanit, duke e lidhur dhe me problemet që ka së fundmi?

– Partizani jo vetëm është ekip i përgatitur, por forcën e ka si te grupi edhe te individi. Jemi përgatitur që çdo lojtarë i yni të ketë detyrë specifike ndaj çdo kundërshtari në bazë të mënyrës së të luajturit, por edhe cilësive individuale.

– A mendoni se mund të përsëritet historia e ndeshjes së parë?

– Shpresojmë të fitojmë, por nuk është se do të përsëritet historia e ndeshjes së parë të luajtur në Gjirokastër, por edhe ne nuk merremi me të kaluarën. Momenti i tanishëm tregon se të dy ekipet kanë të njëjtin objektiv. Partizani e ka shansin e fundit për të arritur Evropën, ne duam ta sigurojmë përfundimisht. Jemi më afër finishit se Partizani për vendin e tretë. Kishim pak ditë për përgatitjen e kësaj ndeshjeje, por nuk e lamë për këto tre ditë synimin e fitores. Tani që po vjen fundi i kampionatit nuk ka pse të mbajmë rezerva, aq më shumë nesër (sot) që nëse fitojmë, themi se e përmbushëm misionin.

MUNGESAT – 2 mungesa të sigurta ka ekipi i Luftëtarit për ndeshjen kundër Partizanit. Lejdi Liçaj dhe Albano Aleksi nuk janë të gatshëm për teknikun Lika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *