Ligat europiane kundër “monopolit”: Jo shtete me 4 vende në Champions!

0

Shoqata e Ligave Europiane të Futbollit (EPFL) është shprehur “kundër” reformës së Champions League që i kërkon UEFA-s të kthehet në një “format më të barabartë”, duke i rezervuar më pak hapësirë skuadrave të atyre vendeve (mes të cilave është edhe Italia), që aktualisht kanë katër vende të garantuara. Seria A dhe Bundesliga janë shprehur kundër këtij qëndrimi.

Ky është lajmërimi i bërë pas mbledhjes së Bordit Drejtues, i cili ka kërkuar që për të ardhmen të mbrohen edhe fundjavat, duke rezervuar vetëm ndeshje të kampionateve kombëtarë, duke përjashtuar vetëm të shtunën kur do të luhet finalja e Champions League. Grupi i 28 ligave të futbollit, të cilat bëjnë pjesë në këtë shoqatë, do ta shprehin pozicionin e tyre edhe në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, më 3 dhjetor në Dublin.

Aty pritet të diskutohet rreth ndryshimeve të mundshme në kompeticionet europiane, mes të cilave është edhe krijimi i mundshëm i një turneu të tretë kontinental, në të cilin pritet të marrin pjesë 32 skuadra. Megjithatë, EPFL ka punuar specifikisht për Champions League, që sipas saj duhet ti garantojë “më tepër përfitime të gjitha klubeve” dhe jo vetëm ekipeve angleze, italiane, spanjolle dhe gjermane.

“Nevojitet me patjetër një ndryshim”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Shoqatës, Xhorxh Pangl. “Mjafton të kujtosh se 48 për qind e parave të akorduara nga UEFA për Kupën e Kampioneve dhe Champions-in, nga viti 1992 e deri më sot, ka përfunduar në arkat e vetëm 14 klubeve. Kjo gjë ndikon te konkurrenca”. Për t’u nënvijëzuar është fakti se prej triumfit të Portos në edicionin e vitit 2004 në Champions League, trofeu është fituar gjithmonë nga skuadrat e katër ligave më të mëdha europiane.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.