“Kumbulla në 3 më të mirët”, Rrahmani zbërthehet për Veronën: Dëgjoj vetëm fjalë të mira për veten, duam Europën

Amir Rrahmani po i ngjit bindshëm hapat në karrierën e tij. Lënia e Dinamos së Zagrebit për t’iu bashkuar Veronës rezultoi zgjedhja e duhur për të, pasi me paraqitjet e tij ka rrëmbyer dashurinë e tifozëve dhe vlerësime të mëdha nga opinioni sportiv. Kontrata me Napolin është edhe shpërblimi më i bukur për punën e bërë. Mbrojtësi dardan ka dhënë një intervistë për klubin e Hellas Veronas nëpërmjet “Instagramit”, ku ka folur mbi shumë çështje të ndryshme.

Duke nisur nga ndeshja më e mirë, zgjedhja e Veronës në vend të Champions League, apo mbrojtësit më të mirë, Rrahmani është përgjigjur për gjithçka. E kur vjen puna te 3 lojtarët më të mirë në repartin mbrojtës, lojtari shqiptar nuk ka nevojë t’i hedhë sytë larg, pasi e fillon me Kumbullën, ndërsa rendit bashkë me të edhe 2 shokët e tjerë të skuadrës.

Pritshmëritë për Serie A

“E kam ndjekur që fëmijë. Kur je më i ri të duket shumë e vështirë, por kur ndihesh gati nuk është aq e ndërlikuar”.

Ndryshimi mes tifozëve të Dinamo Zagreb dhe Veronas

“Tifozët e Hellas Veronës e kanë përjetuar Serinë B, ndërsa Dinamo fiton shpesh kampionatin. Por të dyja tifozeritë janë shumë të zjarrta. Kur luajtëm në Europa League stadium ishte plot, njësoj si në Champions League. Kështu është në Zagreb”.

Ndeshja më e mirë e vitit

“Do të zgjidhja atë kundër Juventusit dhe pjesa e dytë ndaj Torinos“.

Qëllimet me fanellën e Veronës

“Nëse luajmë duam të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të përpiqemi të shkojmë në Europë. Por më e rëndësishmja është të japim më të mirën”.

Aftësitë më të mira dhe mangësitë

“Duelet ajrore janë një pikë e fortë. E kam të vështirë të mendoj për një të metë. Ndoshta duhet të përmirësoj pak vrullin”.

3 mbrojtësit më të mirë në Serie A

Kumbulla, Gunter dhe Bocchetti.

Simpatia e tifozëve

“Kam dëgjuar vetëm fjalë të mira për mua. Thonë që jam i fortë, pastaj filluan të më thërrisnin edhe ‘muri’”.

Zgjedhja e Veronës në vend të Champions League

“Do mund të luaja në Champions League me Dinamon e Zagrebit, por kampionati kroat është më i ulët se Serie A. Pastaj nuk do të mund të kisha firmosur me një ekip si Napoli. Po të qendroja në Kroaci do të kishte qenë më e vështirë”, ka përfunduar Amir Rrahmani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *