KOMENT/ Dy fjalë kam për te Vllaznia: “Bëhuni burra, nuk është ekip fshatrash”

0

Dy fjalë do them, ndoshta jo dy tamam, por mendoj se janë pak. Po çuditem sot kur po shoh lajme se te Vllaznia ndoshta lojtarët nuk do nisen për transfertën e nesërme të Vlorës. Kjo për arsyen se ata nuk janë paguar prej muajsh nga bashkia e Shkodrës që edhe drejton ekipin e futbollit.

Te kuqeblutë prej 1 jave është një situatë e “turbullut”, ku lojtarët shkodranë bojkotuan për 2 ditë stërvitjen për shkak të vonesës së pagesave. U premtua se gjithçka do zgjidhej dhe ekipi u rikthye në fushën e stërvitjes. Por duket se situata është po e njëjtë dhe sot, 1 ditë para rifillimit të Superligës, Vllaznia “kërcënohet” nga lojtarët e saj.

Po tregohem ndoshta pak ekstrem në këtë koment, por më duket sikur është “kërcënuar” Shkodra. Futbollistët e ekipit më të vjetër dhe më legjendar në vend duket se nuk e respektojnë fare fanellën që përfaqësojnë, nuk ia ndien fare për tifozët shkodranë dhe duket se shpirtin e sakrificës nuk e njohin. Vllaznia që prej kohës që menaxhohet nga Bashkia ka pasur të tilla probleme me vonesat e pagesave dhe lojtarët e dinë mirë këtë fakt. Prandaj habitem nga ky ultimatum i tyre.

Por nuk janë vetëm lojtarë “mëkatarë” që kjo fanellë kuq e blu po “përdhoset”. Është edhe bashkia me drejtuesit e saj në klubin Vllaznia. Një administrator nuk duhet kurrsesi të jetë arrogant drejt futbollistëve ndaj të cilëve institucioni që ai përfaqëson nuk është treguar korrekt. Lici duhet të parashtronte këtë problem që në periudhën ku kampionati ishte i ndaluar pasi i dinte mirë problemet me pagat. Edhe bashkia me drejtuesit e saj në vite nuk ka bërë asnjë hap për privatizimin e klubit. Fjalë pa fund dhe vepra askund.

E si qytetar shkodran dhe tifoz i ekipit të Vllaznisë për të cilin i qan zemra gjithë shkodranëve anë e mbanë Botës kjo situatë më prek shumë. Të lexoj se ekipi kërcënon me mos pjesëmarrje në ndeshjen kundër Flamurtarit më pikëllon. Thashë që do ishin më tepër se dy fjalë, por dua ta zgjas edhe pak. Në fund do e mbyll me një apel për të gjithë ata që janë aty tek klubi i futbollit Vllaznia.

Mos e njollosni veten dhe bëhuni burra e mbylleni këtë kampionat se Vllaznia nuk është ekip lagjesh apo fshatrash, por emblema e futbollit shqiptar. Si edhe shpirti dhe zemra e çdo shkodrani. Në fund të fundit nuk po përfaqësoni vetëm Vllazninë, por Shkodrën që futbollin dhe sportin e ka ajër, e ka jetë. / Endri ÇINARI, Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.