Kampionati tjetër histori, Luftëtari do pikë në Laç

Jo pa qëllim trajneri Hasan Lika ruajti 8 titullarë në ndeshjen e kupës ndaj kurbinasve në mesjavë. Kërkon rezultat pozitiv në transfertën e së dielës

Gëzim Beqiri

Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, Luftëtari është përqendruar në ndeshjen e radhës në kampionat. Do të luajë përsëri ndaj Laçit, në transfertë. Fakti që në ndeshjen e së mërkurës luajti me tetë mungesa titullarësh, tregon se ndeshja e kampionatit është vlerësuar më e rëndësishme. Luftëtari e kishte humbur 3-0 ndeshjen e parë të kupës dhe dihej vështirësia e kualifikimit, ndaj dhe titullarët u kursyen. Në pjesën e dytë të ndeshjes së kthimit në kupë u aktivizuan edhe Bregu, Abazaj dhe Rroca, por më shumë ishte për të qenë në ritmin e lojës se për përmbysjen. Luftëtarit nuk i interesonte të harxhonte forcat, kështu që u dha mundësinë të luanin shumë futbollistëve të stolit dhe disa u aktivizuan për herë të parë në një ndeshje zyrtare.

Për disa prej tyre, sidomos për portierin Kristos Athanasopulos, trajneri Hasan Lika dha vlerësim maksimal. Pavarësisht se titullar në portë mbetet Shkëlzen Ruçi, Athanasopulos është një alternativë shumë e mirë. I ardhur nga ekipi grek i Kavallës në merkaton e dimrit, pas disa ditësh stërvitje me kolegun Ruçi, ai dha vlerësim maksimal për të, me bindjen se të dy bashkë janë një siguri për portën e Luftëtarit. Mbresa të mira për publikun la edhe i riu Aurel Demo, i cili u aktivizua për herë të parë me Luftëtarin, ndërkohë që Aurelio, Minga, Janku dhe Toledo janë prezantuar më parë.

LAÇI – Të dielën Luftëtari do të luajë në Laç dhe kjo ndeshje konsiderohet si një finale për gjirokastritët, të cilët pretendojnë të ngjiten në zonën europiane të klasifikimit. Luftëtari nuk e filloi mirë kampionatin, por në shtatë ndeshjet e fundit ka pesë fitore dhe dy barazime. Trajneri Lika nuk e tha hapur, por mbajtja në stol e tetë lojtarëve titullarë në mesjavë ka si qëllim që të gjitha forcat të përqendrohen në kampionatit. ”Për ne rëndësi ka kampionati, por jo se nuk e vlerësuam ndeshjen e kupës. Ishin ndërrime të detyruara dhe kështu do të veproja, me po ata futbollistë, edhe sikur të mërkurën ndeshja të ishte për kampionat. Tashti grupin e kemi më të plotë. Lamçe që mungoi në disa ndeshje për arsye shëndetësore, është i gatshëm dhe zhvilloi një pjesë loje të mirë për kupë. Kthehet në formacion edhe Olti Rapa që mungoi një muaj nga një dëmtim. Vazhdojmë përgatitjet për takimin e Laçit si ndaj çdo skuadre tjetër. Avantazh kemi grupin e plotë dhe shpresojmë të japim më të mirën për të marrë një rezultat pozitiv. Jemi në gjysmën e garës dhe të gjitha skuadrat luftojnë si për vendet e para, edhe për të mos dalë nga Superliga. Duhen marrë pikë jo vetëm në fushën tonë, por edhe në transfertë. Këtë do të bëjmë në çdo ndeshje, edhe në Laç”, – është shprehur dje trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *