Intervista/ Devolli kthehet pas 14 viteve në Berat, Superiorja nuk është utopi

Vetëm pak orë pas prezantimit zyrtar te Tomori, Bledar Devolli është përfshirë menjëherë me projektin e ri të nisur. Rikthimi në Berat, këtë herë si trajner, përgjegjësitë, objektivat dhe puna me skuadrën drejt objektivave madhore. Edhe pse nuk pranon të flasë në mënyrë direkte rreth ngjitjes së Tomorit në Superiore, por preferon të qëndrojë me këmbë në tokë, trajneri i ri lë të kuptohet, se ky synim nuk është utopi.

– Devolli ktheheni te Tomori, një dekadë e gjysmë pasi keni mbrojtur ngjyrat e ekipit si futbollist, tani vini si trajner…

– Berati është një qytet i njohur dhe i dashur për mua, pasi 14 vite më parë kam qënë pjesë e Tomorit si futbollist. Ka qenë një periudhë e shkurtër, vetëm 6-mujore, por në këtë rikthim besoj se do të takoj dhe bisedoj me miqtë e mi të vjetër, nga të cilët pres mbështetje.

– Tomori është stacioni i katërt për ju në karrierën si trajner, pas Luftëtarit, Bylisit dhe Kamzës. Çfarë do të thotë kjo sfidë për Devollin?

– Kjo është puna si trajner profesionist, për të dhënë më të mirën për atë skuadër, që të beson dhe pse jo për t’ia u shpërblyer edhe tifozëve. Besoj shumë te vetja dhe prej eksperiencave të mëparshme do ta kem edhe më të lehtë detyrën te Tomori.

– Cilat janë objektivat e vendosur nga klubi?

– E kam të qartë çfarë kërkon një skuadër me tradita si Tomori. Por, më tepër sesa të flas për objektiva sezonalë, preferoj të mendoj për ndeshjen e radhës. Gjithçka nis nga përballja në Pogradec, ku do të synojmë fitoren.

– A keni marrë përsipër ngjitjen e Tomorit në Superiore?

– Në filozofinë time, ndeshjet duhen marrë një nga një. Kjo na afron me objektivin sezonal. Këtë mentalitet dua të injektoj te skuadra. Koha do të na japë të drejtë të flasim për dëshirën e kahershme të sportdashësve berates, për t’a parë skuadrën në Superiore.

– Çfarë përshtypjesh keni nga ekipi, edhe sepse janë vetëm dy ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen e radhës?

– Koha e pakët në dispozicion nuk do të përbëjë asnjë pengesë dhe nuk mund të shërbejë si justifikim për mua apo skuadrën rreth objektivit që kemi në Pogradec. Skuadrën e vëzhgova në në ndeshjen e kontrollit dhe ka futbollistë cilësorë, por edhe të rinj me perspektivë. Pas stërvitjes së te premtes, do të përpiqem të punoj edhe në aspektin psikologjik.

– Si i shihni rivalët e radhës, por edhe grupin ku luan Tomori?

– Është ende herët që të japim vlerësime për skuadrat kundërshtare, për më tepër që jemi të përqendruar te ekipi ynë. I respektojmë rivalët, por duhet të punojmë me seriozitet, në mënyrë që të shpërblejmë besimin e marrë me rezultate në fushë.

Intervistoi Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *