Hoxha: Ndeshja në Korçë, kopertinë për Shqipërinë

Mbrojtësi i kampionëve në fuqi: Sezoni pa trofe  quhet dështim për Kukësin. E ardhmja ime vendoset pasi të përfundojë kampionati

 Jurgen Zela

 Rustem Hoxha është një nga më të spikaturit këtë edicion te Kukësi. Edhe pse ka vetëm 1 sezon, ka mundur që të bëhet një nga lojtarët me më shumë minuta te verilindorët. Durrsaku flet për “Sport Ekspres” dhe komenton ndeshjen me Skënderbeun, por dhe sezonin si “kuksian”, po ashtu nuk lë jashtë vëmendjes edhe teknikun Peter Pakult. 26-vjeçari beson se në Korçë do të luhet një ndeshje pa presion, ndërsa për trajnerin austriak thekson se ka sjellë në vendin tonë një frymë të re, që është larg realitetit shqiptar.

– Rustem, sezoni i parë me Kukësin dhe jeni kthyer në një lojtar titullar, si ka qen ky edicion në tërësi për ju?

– Personalisht them se ka qenë një sezon pozitiv. Do kisha qenë më i kënaqur nëse do kishim arritur ta mbyllnim me një trofe këtë edicion.

– Në ndeshjet e fundit keni treguar formë në rritje, e ke arritur maksimumin?

– Shpresoj të kem një vazhdimësi në rritje. Kulmi i një futbollisti shihet në fund të karrierës, sepse tani kam ende gjëra për të mësuar dhe punuar.

– E mbyllni vitin pa trofe, konsiderohet një sezon jo i suksesshëm nga ju?

– Objektivat e Kukësit janë të qarta këto vitet e fundit, prandaj një vit pa trofe quhet një vit i dështuar.

– Vjen takimi me Skënderbeun, cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë ndeshje?

– Është një ndeshje si gjithë të tjerat. Ne do të shkojmë atje si çdo ndeshje tjetër për të marrë 3 pikët që ta kemi më të sigurt vendin e dytë, që është dhe objektivi i vetëm që na ka mbetur.

– Kush ka më shumë presion në këtë përballje, duke ditur që ju jeni me statusin e kampionit ndërsa Skënderbeu mund të jetë kampioni i ri pikërisht pas ndeshjes me ju?

– Mendoj se asnjëra nga skuadrat nuk do të ketë presion. Besoj se do të jetë një ndeshje reklamë për futbollin shqiptar.

– Do mjaftonte një pikë në Korçë…

Siç e thash dhe më lart, ne do të shkojmë për të marrë 3 pikët, si në çdo ndeshje, por futbolli i njeh të tre rezultatet. Ne duhet të japim maksimumin në fushë që në fund të mos na mbetet gjë peng.

– Me Pakult kemi parë risi sa i përket stërvitjes, personalisht çfarë përshtypjesh keni për trajnerin dhe risitë e tij?

– Trajneri Pakult me eksperiencën e tij arriti shumë shpejt ta kuptojë çfarë i mungon ekipit dhe ka punuar shumë në anën psikologjike. Gjithashtu ka futur stërvitje të ndryshme që t’i japë freski ekipit, që për ne në Shqipëri duken shumë të huaja e larg realitetit.

– E ardhmja, me Kukësin apo gjetkë? Tashmë nga Kukësi po kthejnë sytë shumë klube të huaj…

– Për momentin jam i përqendruar vetëm te Kukësi. Sa i përket të ardhmes time, në fund të sezonit do ulem me drejtuesit dhe do bisedojmë e më pas do të vendosim si të jetë më e mira për të dyja palët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *