Hazard e sheh Belgjikën favorite për titullin, Martinez përgatit penalltitë

Eliminimi i Gjermanisë në fillim. Më pas largimet nga turneu të Argjentinës së Lionel Mesit dhe Portugalisë së Kristiano Ronaldos. Së fundmi edhe befasia e Rusisë ndaj Spanjës. Surprizat në Botërorin 2018 kanë qenë të panumërta, por mbi të gjitha ka krijuar edhe një ide të ekipeve që mund të jenë pretendente për ta fituar trofeun.

Përveç Anglisë dhe Brazilit, në një kandidate të fortë tashmë është kthyer edhe Belgjika. Skuadra e yjeve të mëdhenj ka shansin të shkruajë historinë dhe këtë e ka të qartë kapiteni Eden Hazard, që pas ngjarjeve në fushë nuk fshihet.

“Më vjen keq për eliminimet e lojtarëve si Mesi apo Ronaldo. Megjithatë, largimi i tyre nga Botërori është një lajm i mirë për Belgjikën, sepse në këtë mënyrë kemi disa rivalë më pak. Edhe pse me largimin e këtyre emrave spektakli ka humbur disi, për ekipin tonë ky është një lajm i mirë, sepse kemi më tepër shanse për të fituar”, deklaroi numri 10 i Belgjikës.

“Djajtë e Kuq” do të luajnë të hënën me Japoninë dhe janë favoritë për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Botërorit. Belgjika i ka mposhtur aziatikët 1-0 në miqësoren e nëntorit të kaluar, periudhë nga e cila Akira Nishino zëvendësoi në stol Vahid Halilhoxhiç. Përpara duelit në Rostov, Roberto Martinez ka vlerësime maksimale për japonezët, madje pranoi se ekipi i tij është praktikuar edhe për 11-metërshat.

“Ndryshimi më i madh te Japonia është trajneri i ri. Në thelb ata mbeten të njëjtë, një ekip i organizuar dhe plot energji. Ata kanë lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë. Nga ana tjetër ne kemi praktikuar edhe goditjen e penalltive, pasi duhet të jemi të përgatitur për gjithçka”, tha trajneri i belgëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *