Gjyrezi moral skuadrës: Nuk ka mbaruar asgjë, mos u dorëzoni!

0

“Unë thashë se ne do të bëjmë maksimumin tonë, por gjërat nuk janë më në këmbët tona. Shpresojmë që të kemi zotin me vete. Ndoshta nuk është e shkruar që të biem nga kategoria”

Ndonëse nuk ka qenë ndonjë takim i stërgjatur në minutash, në ato pak minuta që administratori Astrit Gjyrezi është parë të zhvillojë me grupin e futbollistëve të të dy Vllaznive, A dhe B, për vet tonin e lartë që ai po i fliste skuadrës është kuptuar qartë motivimi që ai kërkonte të injektonte te futbollistët për dy ndeshjet e mbetura të kampionatit. Ndër të tjera, ai u ka kërkuar lojtarëve që të lënë pas të kaluarën dhe të përkushtohen totalisht ndeshjet e mbetura. Sipas tij, jo vetëm matematika, por edhe besimi dhe shpresa te mrekullia e ndonjë përmbysje në favor të Vllaznisë është krejt e mundshme.

Gjyrezi, cili ishte mesazhi që i drejtuat futbollistëve të të dyja skuadrave, A dhe B-së në takimin që patën me ta?

Patjetër që ky është një moment shumë i vështirë. Për Vllazninë, për mua personalisht dhe për çdo shkodran. Është një moment që askush nuk e ka menduar, askush nuk e ka dëshiruar. Ky është realiteti, duhet të përballemi me këtë që kemi aktualisht. Mesazhi im ishte krejt i thjeshtë. U bëra thirrje, se meqë matematika na lejon, ne duhet të bëjmë atë që na takon. U bëra thirrje në emër të Vllaznisë, klubit, fanellës dhe të gjithë Shkodrës. Unë i kuptoj këta djem, që tani ndihen nën presion, sepse një pjesë e tyre e vuajnë situatën. Janë momente shumë të vështira për gjithkënd, por ne duhet që të gjejmë forca që të paktën të bëjmë “hyzmetin” për këto dy ndeshje, sepse në të kundërt do të na mbetet pengu më i madh në jetë.

A mendoni se do t’ia dalë Vllaznia?

Unë thashë se ne do të bëjmë maksimumin tonë, por gjërat nuk janë më në këmbët tona. Shpresojmë që të kemi zotin me vete. Ndoshta nuk është e shkruar që të biem nga kategoria.

Diçka për teknikun Gjoka, ka dhënë ndonjë arsye, motivacion për largimin e tij?

“Tërhiqem. Nuk e shoh më veten që të vazhdoj në drejtimin e skuadrës”. Ajo është një çështje e mbyllur, dhe unë kam qejf që në këto dy ndeshje të diskutojmë çështjen Gjoka. Duhet të shohim përpara.

A është normale kjo braktisje e trajnerit dy jave përpara përfundimit të kampionatit?

E mira ishte që ta përfundonim kampionatin. Nuk është normale, por gjithkush bën zgjedhjet e veta. Ne jemi të detyruar si klub të marrim masat e nevojshme, që të përballemi me realitetin dhe të mos mbesim me “kokën pas”. Me këtë rast, falënderoj edhe stafin e ri, që ka marrë përsipër të trajnojë këtë ekip. Këtë grup të madh. I kam falënderuar sot (dje) në takimin që kam pasur me ta. Janë momente të vështira dhe askush nuk e dëshiron të jenë të tilla, aq më tepër në këtë situatë do të drejtojnë ekipin. Është në moralin e tyre. Kanë dhënë për këtë fanellë në futbollin e luajtur dhe e ndiejnë këtë skuadër. I përgëzoj për gatishmërinë. Me të vërtet janë pjesë e klubit Vllaznia, brenda strukturës tonë, por edhe gatishmëria e tyre duhet të vlerësohet. Është një moment shumë i vështirë.

Po flitet për një drejtor të ri sportiv dhe po lakohet Alban Hasani?

Ne nuk dimë gjë. Jemi duke u stërvitur. Të mbaroj kampionati, mandej ka kohë për ardhjen e drejtorit sportiv dhe gjithçka tjetër.

Ka pasur shumë kritika nga opinioni rreth situatës së krijuar. Keni një mesazh për këtë?

Kritikat janë të drejta. Dhe janë tifozë të Vllaznisë ata që na kritikojnë. Shumë njerëzve u shpëtojnë edhe lot. Por, unë do t’u bëj një thirrje. Së paku, meqë kemi edhe një mundësi dhe “ishallah” kemi edhe fatin me vete, ne këta djem duhet t’i motivojmë. T’u marrim më të mirën. Atë që kemi mundësi, sepse në të kundërt do të bëjmë atë gabimin tjetër, që t’i fusim në pesimizëm dhe nuk do të arrijmë të ecim për atë që ne mendojmë. Kritikat, ia lëmë pas këtyre ndeshjeve.

Për protestën e paralajmëruar që zhvillohet të premten përpara Bashkisë Shkodër nga tifozët, keni diçka për të thënë?

Është e drejtë e tyre. Ata kanë të drejtë. Unë thashë që nuk ka njeri që nuk është i mërzitur për Vllazninë, jo më pjesa e grupit të tifozëve që e kanë ndjekur dhe mbështetur, kanë udhëtuar me shpenzimet e tyre. Më vjen keq që nuk kemi pasur mundësi për t’i mbështetur. Vet procedurat ligjore të klubit nuk e lejojnë të parashikohen buxhete për tifozërinë. Jemi detyruar të zbatojmë rregullat ligjorë, pavarësisht asaj që kemi dashur nga ana shpirtërore.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.