Gjoka: Të dënuar të fitojmë!

Trajneri i Vllaznisë analizoi situatën në ekipin e tij dhe tregoi rrugën se si shpëtohet. “Nuk është e lehtë, por nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç tre pikëve”

Gaspër Marku

“Nuk na lejohet rezultat tjetër veç fitores”. A ka më qartë se kaq?. Ernest Gjoka e di shumë mirë se qëndrimi në Superiore arrihet fillimisht duke fituar ndeshjet brenda dhe këtë e tha edhe në daljen e djeshme mediatike. Tekniku kryeqytetas theksoi se duhet ta lënë pas ndeshjen me Teutën dhe të jenë edhe në ndeshjet jashtë ajo Vllazni që shfaqen në “Loro Boriçi”. Një mesazh i qartë edhe për lojtarët, që duhet të mundin Luftëtarin. Gjoka e vlerëson kundërshtarin, por nëse bëjnë atë që duhet, atëherë edhe kjo sfidë kalohet me sukses.

-Profesor, një ndeshje zhgënjyese në Durrës. Skuadrën e pret një tjetër përballje e vështirë me Luftëtarin. 

Jemi të detyruar ta harrojmë humbjen në Durrës dhe të ecim përpara. Ajo ndeshje qe një zhgënjim dhe e kemi ndjerë të gjithë shumë, por nuk kemi kohë të qajmë për atë që humbëm. Duhet të shohim përpara, jemi në një moment të vështirë. Ndeshjet në shtëpi janë oksigjen për të mbijetuar në Superiore.

-Çfarë ndryshon në skuadër kur luan në transfertë dhe kur luan në Shkodër?

Mund të them se mungesa e pikëve na bën të tkurremi dhe të mos shprehim vlerat tona. Ne takimet jashtë nuk kemi treguar se jemi vetvetja. Ky është një dëm i madh për një skuadër. Po mundohemi fort që atë që po japim në fushën tonë ta bëjmë edhe jashtë. Nëse kjo skuadër do të fillojë të kuptojë seriozisht këtë çështje, unë mund të them se cilësia që kemi brenda mund të bëjë që ta tërheqin drejt asaj që duhet këtë skuadër.

-Tani është koha që skuadra të bëjë llogaritë e veta?

Llogaritë janë tashmë evidente: duhet të bëjmë maksimumin për të fituar. Nuk është e lehtë, bazuar te kundërshtari apo cilësitë që ata kanë, por nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveç tre pikëve. Luftëtari ka shumë cilësi, sidomos në sulm. Nëse i kontrollojmë mirë dhe me dëshirë, atëherë mund ta kalojmë këtë ndeshje. Ne nuk kemi asnjë alternative tjetër veç tre pikëve.

-Luftëtari ka disa lojtarë të mirë dhe një mesfushë të fortë…

Ne i dimë cilësitë e Luftëtarit. Një herë kemi fituar në shtëpi dhe njëherë kemi barazuar në Gjirokastër në periudhën që unë drejtoj Vllazninë. Kemi shikuar videot për këtë ekip dhe po mundohemi që të shikojmë çdo anë pozitive të kundërshtarit. Nëse arrijmë që të bëjmë mirë detyrat tona dhe të neutralizojmë siç duhet kundërshtarin, atëherë do të arrijmë të marrim atë që kërkojmë: maksimumin e pikëve.

-Në formacion do të ketë ndryshime. Do rikthehet Malota?

Këtë javë Malota është i padiskutueshëm në formacion, sepse është një nga liderët e ekipit. Unë, por edhe të tjerët, shpresojmë tek vlerat e këtij lojtari. Tani ngërçi i tij ka kaluar dhe do të jetë gati për këtë përballje. Edhe në Durrës, në ndërrimin e tretë, më shumë kërkova që të shikoj Malotën, pasi mund të them se takimi atëherë kishte përfunduar.

-Pritet që të ketë edhe ndryshime të tjera?

Kemi shumë lojtarë në formë, por për momentin kemi bërë zgjidhje referuar eksperiencës. I kemi dhënë më tepër besim lojtarëve që kanë më shumë përvojë për të gjetur sa më shpejt golin. Jemi në moment delikate dhe shpresoj që edhe lojtarët në stol kanë vlerat e tyre për të bërë ndryshimin e lojës, përfundimin e saj më sukses, apo çdo gjë që do t’i kërkohet.

-A është kjo një ndeshje vendimtare?

Absolutisht që është një ndeshje vendimtare. Nuk kemi rrugë tjetër,  jemi të dënuar të arrijmë fitoren. Nuk kemi asnjë alternativë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *