Gjoka, një penallti larg… Partizanit!

Tekniku kampion ishte shumë pranë “demave”. Gabimi i Lenës nga penalltia, në një farë mënyre, e dërgoi në Shkodër. Tashmë, kryeqytetasit e gjejnë si kundërshtar…

Ernest Gjoka u prezantua ditën e djeshme në Shkodër, një lëvizje e papritur, me dorëheqjen e Cungut dhe mbylljen e marrëveshjes me “të shpejtë”. Ndryshimet bëhen gjithmonë për mirë, ashtu mendojnë edhe në Shkodër, e njëjta logjikë ishte edhe në verë me Partizanin që i besoi gjithçka stafit italian, nga administrata në krye të skuadrës.

Të dielën, në stadiumin “Loro Boriçi”, të kuqtë do të kenë përballë pikërisht trajnerin Ernest Gjoka, një emër jo pak i njohur dhe i përmendur në korridoret e të kuqve. Madje, rruga e trajnerit Gjoka dhe Partizanit kanë qenë shumë afër dhe mund të kryqëzoheshin, fillimisht në verë dhe pastaj edhe pas ndeshjes me Teutën.

VERË – Pas largimit nga Kukësi, trajneri Ernest Gjoka u përfol te Partizani. Ai sapo kishte mbyllur kapitullin me kampionët e Shqipërisë, ndërsa “demat” nuk kishin ende një trajner. Gjoka pëlqehej edhe nga presidenti Gaz Demi dhe tifozët nuk ishin kundër, në fund nuk u arrit marrëveshja, pasi drejtori Moxhi mori Julianon nga futbolli italian. Megjithatë, kjo nuk ka qenë hera e vetme që Gjoka u përfol te Partizani. Ai ishte pranë marrjes së frenave pas ndeshjes me Teutën.

PENALLTIA E LENËS – Nëse Lena do të shënonte me penallti dhe rezultati do të shkonte në 2-0 për Teutën, mbase Partizani nuk do të arrinte ta kthente më. Kjo nuk ka shumë rëndësi tashmë, pasi në futboll nuk ecet me “mbase”. Të kuqtë fituan dhe Juliano tashmë është futur në rrugën e duhur, duke mos qenë më në rrezik. Megjithatë, nëse Partizani do të mposhtej në atë sfidë, trajneri Ernest Gjoka ishte gati për të marrë frenat e skuadrës. Tekniku pëlqehej nga presidenti Demi, por ishte i mirëpritur edhe nga tifozët. Në fund, lëvizja nuk u arrit dhe mbase ishte larg vetëm një penallti, si për ironi të fatit e humbur nga një mik i mirë dhe lojtar besnik i Gjokës. Tashmë, Gjoka do të jetë kundërshtar i radhës për Partizanin, një rival i vështirë që duhet mposhtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *