Gjoka: Kemi një plan për merkaton, Hallaçin e njohin të gjithë

Kukësi do të përballet nesër me kampionët e rinj të Shqipërisë, Partizanin. Ernest Gjoka ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, duke folur për objektivin e ndeshjes. Kukësi kërkon fitoren për të blinduar vendin e dytë dhe më pas të përgatisë qetësisht finalen e Kupës.

Gjoka prek disa tema, tregon versionin e tij në lidhje me Hallaçin, zbulon gjendjen e lojtarëve të dëmtuar dhe e mbyll me merkaton që pritet të bëjë klubi verilindor.

Profesor, gjashtë gola të pësuar në dy ndeshjet e fundit. Çfarë ka ndodhur me fazën mbrojtëse të ekipit?
-E vërtetë, ka qenë një moment jo. Për atë filozofi që kam unë si trajner, është e vështirë. Janë gjëra që ndodhin, kemi pasur shumë mungesa, kemi bërë ndryshime në formacione. Të gjitha kanë lënë pasoja. Më mirë që ndodhi tani. Është mësim sa herë ndodhin gjëra të këqija. Është një mundësi për t’u korrigjuar dhe për të pasur mentalitet ndryshe.

Partizani do festojë titullin, ju doni pikë për Europën. Si e parashikoni këtë ndeshje?
-Është ndeshje shumë e fortë, ndaj kampionëve. I respektojmë. Vendi i dytë nuk është i sigurt tashmë dhe kjo do i japë kuptim ndryshe ndeshjes. Do tentojmë të fitojmë dhe të mbyllim llogaritë për vendin e dytë.

Si është situata në ekip me mungesat?
-Është rikthyer Valdet Rama, ka gjithë javën që stërvitet. Shameti e ka mbyllur sezonin, po ashtu edhe Maliki. Nuk bëhet as Rroca. Shkurtajn jemi munduar ta përgatitim, edhe ai pati një dëmtim të rëndë në mes.

Duke parë situatën e Tiranës, mendoni se e gjeni me moral të rënë në finalen e Kupës?
Nuk e mendoj kështu, nuk dua që suksesin tim ta bazoj mbi fatkeqësinë e tjetrit. Me vjen keq për Tiranën që është në këtë gjendje. Duhet te mendoj vetëm për Kukësin dhe të përfundoj detyrat. Do kem kohë të mendoj edhe për Tiranën.

Në ndeshjen e fundit mund ta keni ju në dorë fatin e Tiranës, pasi luani përballë Kastriotit…
-Futbolli është kapricioz dhe i paparashikueshëm. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë. Kam nesër një ndeshje të rëndësishme, që na jep qetësi. Kemi finale Kupe dhe kampionat pastaj. Nëse fitojmë, atëherë mendojmë qetë për finalen. Nuk e mendojmë Kastriotin për momentin.

Largimi i Hallaçit, çfarë komenti mund të na jepni?
Mund të përgjigjem, jam trajneri. Në dijeninë time dhe me atë që diskutova me presidentin, di që kanë pasur një bisedë mes tyre dhe ka kërkuar një ekip fëmijësh. I është propozuar Kukësi B për dy vite. Sa di nuk e ka pranuar dhe aty ndoshta janë prishur marrëdhëniet. Më pas secili ka marrë vendimin e vet.

Hallaçi thotë që nuk jam larguar?
Unë po them atë që më ka sqaruar presidenti, më shumë nuk di. Hallaçin e dimë të gjithë kush është. Sa kam biseduar me të, ai do të nisë rrugën si trajner. Sot po punon në një akademi. Edhe unë kam punuar me grupmoshat. Nëse e ka marrë seriozisht këtë punë, atëherë i duhet një eksperiencë e tillë. Me përvojën që ka, për 3-4 vite mund të jenë një nga trajnerët e ardhshëm.

Keni pasur një bisedë për të ardhmen?
Çdo gjë varet nga rezultati. Ka dy muaj që jam këtu. Kur erdha ishte që të rikthenim qetësinë në skuadër. Jemi munduar të bëjmë ndryshime, edhe pse kemi pasur dëmtime. Për shumë javë kam pasur 12 lojtarë, përveç të rinjve. E ardhmja jonë varet edhe nga besimi i presidentit, duhet patjetër që të marrim një trofe, Është investuar shumë. Të mbarojmë këto detyra dhe më pas do të shihet.

Keni menduar për afrime në merkato, pasi ka shumë dëmtime?
-Sigurisht që po flasim me presidentin dhe me drejtorin Nexhipi. Në mbrojtje kemi probleme dhe na duhen përforcime. Aty po shohim. E kam thënë edhe më parë, që kemi rënë dakord që të kemi boshtin. Unë nuk para ndryshoj shumë. Gjithsesi mbetet edhe në dorë të lojtarëve, ndonjë ndoshta nuk do të rrijë. Ndryshimet e shumta nuk sjellin asgjë pozitive dhe vështirësi. Kukësi ka dy vite që ka bërë shumë rrotacione dhe nuk ka ende një trofe, nga ai titull. Një skuadër e ruajtur ka më shumë sukses. Këtë vit një nga problemet kanë qenë prurjet e shumta. Cilësi kemi, por duhet përshtatje. Kryesorja është vazhdimësia e një projekti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *