Marash Kumbulla “fut në xhep” Lautaro Martinezin, Sasuolo është i vetmi ekip që e mund Interin dy herë këtë sezon

Sasuolo ka arritur një rezultat fantastik mbrëmjen e sotme. Jeshilzinjtë kanë mposhtur Interin me rezultatin minimal 1-0. Ndeshja u vendos në minutën e 20, kur Lauriente ndëshkoi zikaltrit. Lautaro Martinezi barazoi shifrat në fund të pjesës së parë, por pas konsultimit me dhomën e VAR-it, goli i anullua për pozicion jashtë loje.

Titullar nga minuta e parë në këtë sfidë ishin edhe Marash Kumbulla me Kristjan Asllanin. Kumbulla luajti 90 minuta të plota, duke qenë një element i rëndësishëm në fitoren e Sasuolos. Mbrojtësi shqiptar “futi në xhep” Lautaro Martinezin përgjatë ndeshjes, duke bërë që argjentinasi të mos binte në sy gjatë lojës. Sasuolo mori një fitore të vyer në “Mapei”, e cila i nevojitet jashtëzakonisht shumë në garën për mbijetesë në Serinë A. Skuadra emiliane është e vetmja që këtë sezon e ka mposhtur Interin në të dy ndeshjet e kampionatit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/