Flamurtari luan sezonin, Skënderbeu më i qetë

Edhe fitorja në Lushnjë e la Flamurtarin “memec”. Në stadiumin e Vlorës luhet sot ndeshja me Skënderbeun, e vlefshme për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, por dje askush nuk ka folur nga kuqezinjtë, as trajneri Shpëtim Duro. Heshtje totale për shtyp, edhe pse në fakt situata nuk është aq e vështirë. Flamurtari vjen në këtë ndeshje pas fitores 0-1 në Korçë dhe ka shanse të mëdha kualifikimi. Kuptohet që duhet kujdes, duke ditur që luhet ndaj një kundërshtari ekspert, që disa ditë më parë fitoi 0-3 në Vlorë për kampionat, por Flamurtarit i bën punë edhe barazimi sot.

Heshtja për shtyp mund tu shërbejë futbollistëve të ekipit vlonjat për të qenë të përqendruar te ndeshja, por njëkohësisht mund të rrisë edhe presionin mbi ta. Mbetet për tu parë se çfarë efekti do të ketë pasur vendimi i drejtuesve të klubit kuqezi, por të paktën trajneri Duro duhej të kishte folur për këtë ndeshje. Administratori Sinan Idrizi dhe tifozët vlonjatë e kërkojnë finalen patjetër. Fitimi i këtij trofeu do të ishte diçka e bukur për këtë sezon, ku pjesëmarrja në Kupat e Europës është një detyrim. Pak ditë më parë, administratori Idrizi, në një takim me stafin teknik dhe lojtarët, kërkoi që gjendja të ndryshonte dhe shenja e parë u dha në Lushnjë, me atë fitore 0-2, por Kupa e Shqipërisë është objektivi kryesor i Flamurtarit dhe vetëm fitimi i këtij trofeu do të justifikonte krizën e kampionatit. Vlonjatët kanë humbur shumë në kampionat, duke zbritur nga vendi i dytë në të 6-tin, por përsëri kanë shanse ta arrijnë Europën edhe në këtë kompeticion.

GJENDJA – Flamurtari do të ketë dy mungesa në ndeshjen e sotme me Skënderbeun, sulmuesit Tomisllav Bushiç dhe Seku Kamara, të dy të dëmtuar. Kroati do të mungojë edhe pas Skënderbeut, ndërsa për Kamara ka shanse të kthehet në kampionat. Zhufo, i cili luajti disa minutë në takimin me Lushnjën, është plotësisht gati, ashtu si dhe Danilo Alvesh. Sulmuesi brazilian nuk u rrezikua në takimin e pak ditëve më parë në kampionat. Nedeljkoviç pritet të jetë në krah të Alveshit, pas golit të shënuar në Lushnjë, ku paraqitje të mirë bëri edhe i riu Fjoralb Deliaj. Megjithatë, formacionin trajneri Duro do ta vendosë në momentet e fundit para ndeshjes me Skënderbeun.

Formacioni i mundshëm i Flamurtarit
Nurkoviç – Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta –  Sidibe, Useini – Nedeljkoviç, Muarem, Hoxhaj – Alvesh

Me probleme drejt Vlorës, edhe Muzaka në mëdyshje
Nuk kanë të sosur problemet për Skënderbeut para ndeshjes ndaj Flamurtarit. Pas mungesave të sigurta të Shehit, Ditës dhe Xhejmsit, në mëdyshje është edhe Muzaka, i cili gjithashtu ka pasur probleme dëmtimi. Nuk është çudi ta shikojmë në stol mesfushorin kryeqytetas, por vendimin përfundimtar do ta marrë Daja sot pasdite. Me gjithë këto mungesa, Skënderbeu do ta ketë të vështirë, por stafi teknik dhe futbollistët besojnë shumë për kualifikimin. Teqja edhe sot do të jetë në portë, ndërkohë që në mbrojtje luajnë Vangjeli dhe Micin nga krahët, si dhe Radas e Aliti në qendër. Në mesfushë Osmani do të jetë përpara mbrojtjes. Lilaj e ka kaluar dëmtimin dhe e nis titullar, kurse Muzaka mund të jetë në stol, duke i lënë vendin Nimagës. Gavazaj, në mungesë të Xhejmsit, do të kalojë në krahun e majtë të sulmit, ndërsa Vila rikthehet në formacion. Soue mbyll 11-shin e Skënderbeut.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Teqja – Vangjeli, Radas, Aliti, Mici – Osmani, Muzaka, Lilaj (Nimaga) – Vila, Gavazaj – Soue

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *