Nesër skuadra zbret në fushë. Faza përgatitore do të zhvillohet në Pogradec kur shijakasit të jenë të plotë
Glen Domi
Erzeni i drejtuar nga Dorjan Bubeqi, nesër do të fillojë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, ku sigurisht që do të kenë pretendime. Fillimisht, në Shijak e më pas një fazë përgatitore në qytetin e Pogradecit siç edhe konfirmojnë drejtuesit më të lartë të shijakasve. Skuadra shijakase, duket se do të hyj në garë me ambicie dhe do të tentojë sërish që të ngjitet në elitë. Dje, drejtuesit shijakas, kanë konfirmuar rikthimin e Bledian Rizvanit, ndërsa priten edhe të tjerë futbollistë dhe me shumë gjasa mund të rikthehen shijakas të cilët kanë spikatur në sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë apo dhe të Dytë.
DELIALLISI – Krahas mbrojtësit Goxhaj e “gardianit” Rizvani, shijakasit kanë bërë edhe një tjetër afrim cilësore dhe është një futbollist me eksperiencë që në “Tofik Jashari” e njohin mirë. Mesfushori me tipare sulmuese, Alfred Deliallisi, i cili ka edhe origjinën nga Shijaku, aktualisht 24-vjeç, dje ka gjetur akordin dhe do të vijojë karrierën në radhët e skuadrës së Erzenit në sezonin e ardhshëm. Deliallisi është një futbollist që luan në disa role në fushë dhe natyrisht që prani e e tij te Erzeni e rrit jo pak ofensivën shijakase. Deliallisi, sezonin e shkuar luajti titullar në Kamzë ku spikati, por mbajti edhe shiritin e kapitenit te skuadra kryeqytetase në disa ndeshje. Skuadra shijakase do të jetë e plotë në fazën përgatitore që do të zhvillojë në qytetin e Pogradecit, aty ku do të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore. Shijakasit, ashtu si një vit më parë, edhe në edicionin e ri që starton në shtator do të jenë një kandidat potencial që do të synojë ngjitjen në superiore, pavarësisht konkurrencës me disa ekipe në Grupin A.