Udhëtim në Kategorinë e Parë, Tirana nuk ka vetëm “turizëm”

0

Çfarë i pret 24 herë kampionët në aventurën e tyre të paprecedentë në sezonin e ardhshëm…

Kur shorti e caktoi Tiranën në grupin e jugut, në Berat u gëzuan. Për ta është një derbi. Nëse e ndiqni futbollin anglez, e keni parasysh euforinë e tifozëve të Miluoll e Uest Hem kur goglat i vënë përballë në Kupë? Njësoj. Tomori ka vendosur që nga viti 2001 ta konsiderojë Tiranën një armik. Sipas tyre, atë vit Tirana ndërhyri që të ndryshonte rregulloren dhe ta dërgonte kampionatin në një ndeshje finale në Elbasan, megjithëse me ndeshje direkt beratasit ishin përpara. Në Berat futbollin e dashurojnë. Stadiumi do të jetë plot. Ata me siguri nuk do ngjiten në superiore, por kampionati i tyre fillon e mbaron duke mundur Tiranën.

Ballshi është gjithashtu një fushë e vështirë. Tirana aty ka fituar rrallë. Jo rrallë, madje ka humbur dhe ndonjë shans për ndonjë kampionat. Fushë që, si i thuhet, nuk i ka ecur. Bylisi duket si një rival kryesor, në letër. Dhe ata janë trembur. Nuk ja vlen të investohet, sepse Tirana është Tirana. Por ta mundësh Tiranën është gjithnjë kënaqësi.

Në Peqin mund të ketë ndonjë grimcë feste. Në përgjithësi, gjatë gjithë kohës që këto dy skuadra kanë qenë në Superiore raportet kanë qenë relativisht të mira. Jo rrallë fitoret në Peqin i kanë dhuruar Tiranës kampionatin, por ka pasur një rast në 2001 që një barazim 0-0 në javën e fundit në asokohe fushën e Peqinit e dërgoi kampionatin në Shkodër. Shkumbini prej disa vitesh nuk ëndërron më Superioren.

Kuçovë, Cërrik, Fushë-Krujë dhe Shën Koll. Merreni me mend vetë. Qytete që eventet sportive i kanë jetikë për të kaluar fundjavën. Askush nuk do t’i presë me lule. Publiku në këto vende jeton me momente dhe një ndeshje e mirë kundër Tiranës është si një fotografi që asnjëherë nuk shuhet nga memoria. Plus kësaj diçka kanë, një lloj përvoje në Kategorinë e Parë. Lule jo e jo, por shumë njerëz nëpër shkallët e vogla të stadiumeve të improvizuara. Ata po presin ditën duke ëndërruar “mundëm Tiranën”.

Në fund Fieri. Një klasike e denjë për Superiore, një ndeshje luksi, mes dy klubeve të qeta dhe pa zhurmë. Apolonia-Tirana ishte shumë e bukur në fundin e viteve 80’. Tani do jetë thjesht një ndeshje për t’u luajtur.

Tirana do udhëtojë një vit nëpër fusha ku në të shkuarën e kanë parë si armiq dhe nëpër ambiente ku njerëzit mezi presin t’i rrëmbejnë një rezultat historik dhe ta vënë në memorie. Nuk bëhet fjalë për turizëm, përkundrazi…

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.