Erikson nuk pret gjë nga Anglia: Lojtarët janë të shtrydhur

Anglia do të hasë probleme në aspektin fizik gjatë Kupës së Botës në Rusi, thotë ish-trajneri i “Tre Luanëve” Sven-Goran Erikson.

Suedezi, i cili e ka drejtuar Anglinë në tre turne madhorë (2002-2006), ka bërë gjithnjë thirrje që Anglia të bëjë pushime dimërore, duke ndjekur shembullin e Spanjës dhe Italisë në dekadat e fundit.

Tani kthehet temë diskutimi lodhja e një sezoni të mbingarkuar dhe Erikson është i bindur që Anglia do të vuajë: “Jam i sigurt, lodhja do të ndihet. Besoj se edhe trajnerët para meje, edhe ata që më pasuan, e kanë pasur gjithnjë këtë problem. Shpresoj të gabohem, por mendoj se edhe Sauthgejt do të ketë shumë probleme në Rusi”.

Gjithë lojtarët e grumbulluar nga Anglia kanë luajtur këtë sezon në Premier Ligë, duke mos bërë asnjë ditë pushim në periudhën e ndërrimit të viteve.

Duke folur për BBC Sport, Erikson shton: “Nëse luan në Premier Ligë, luan shumë ndeshje. Kampionati, dy kupa brenda vendit, ndeshjet në kupat e Europës. Premier Liga është shumë e fortë, kjo është gjë e mirë, por duhet pushim dhe ky është problem i madh, ndaj Anglia nuk arrin të shkëlqejë në turne madhorë”.

Në shkurt u fol se Premier Liga po studion mundësinë e futjes së pushimeve dimërore prej vitit 2020, ndërsa Erikson, trajneri i parë i huaj në historinë e Anglisë, komenton: “Përgëzime Premier Ligës, nëse e bën këtë ndryshim, që në fakt duhej të kishte nisur 20 vite më parë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *