Dy herë Mata nuk mjafton, Junajtid dorëzohet në Lester

0

“Djajtë e kuq” janë ndalur në një barazim 2-2, duke paguar rastet e panumërta të humbura. Lesteri barazon me 10 vetë…

Mançester Junajtid janë ndalur në një barazim 2-2 pqërballë Lester Sitit, në një ndehsje që fare mirë mund të kishin fituar me disa gola diferencë. Por “Djajtë e kuq” kanë shpërdoruar gola qesharakë, duke e paguar në fund. Vardi ka kaluar në epërsi Lesterin (26’), por Huan Mata me dy gola ka kthyer në avantazh ekipin e Murinjos. “Djajtë e kuq” janë dukur në kontroll të plotë të lojës, veçanërisht pas daljes me të kuqe të Amartejt, por një tjetër gabim në mbrojtje në minutën e fundit të kohës shtesë i ka dhënë mundësi Lesterit të barazojë shifrat me Meguajër. Një mundësi  humbur për Junajtidin për t’iu larguar dhe më shumë Çelsitm, teksa për titullin as që flitet tani, -13 nga Mançester Siti.

Lesteri në variantin klasik – Takimi në Lester ka nisur në një frymë festive, me tifozët vendas të veshur të gjithë me kapuçin e babagjyshit, të ngjyrosur në blu! Trajneri Klod Puell ka hedhur në formacionin titullar 8 lojtarë nga ekipi kampion në sezonin 2015-2016.  Murinjo nga ana e tij i ka besuar mesfushës dyshes Mata-Pogba. Mançesteri e ka nisur më mirë takimin, teksa “Dhelprat” i janë kthyer variantit 2015-2016, duke pritur dhe shfrytëzuar kundërsulmin. Taktika që i shpalli kampionë ka funksionuar për mrekulli. Me Junajtidin që dukej në kontroll të ndeshjes, në një kundërsulm klasik, dyshja Mahrez-Vardi ndëshkojnë Junajtidin, me sulmuesin e kombëtares angleze që realizon golin numër 50 në Premier. “Babagjyshat” në stadium shpërthejnë!

Dy herë Mata – Goli ka turbulluar Junajtidin, me Murinjon që është tërbuar me faktin se si mbrojtja e tij është kapur në befasi nga kundërsulmi i “Dhelprave”. Por për fatin e tij, ai ka mjaft lojtarë që mund ta nxjerrin nga telashet, Mata për shembull. Spanjolli shënon një gol mjaft të zgjuar 6 minuta nga fundi i pjesës së parë, duke kthyer baraspeshën. Pjesa e dytë ka qenë edhe më e bukur, pasi skuadrat nuk kanë menduar të mbrohen. Rastin e parë e ka në këmbët e tij Fuks, por Lindelof i heq kënaqësinë e golit. Më pas është vetëm Junajtid, që vërtet shënon dhe golin e dytë por shpërdoron një duzinë të tjera dhe e paguan në fund. Fill pas rastit të Fuks është Marsial që del i vetëm me Shmajkel, por e dërgon topin në tribuna. Junajtid është më këmbëngulës dhe pas një ore lojë Huan Mata shënon të dytin personal dhe të dytin e mbrëmjes për ekipin e tij. Një goditje dënimi e spanjollit, por ku përgjegjësi ka dhe Kasper Shmajkel, që duhet të kishte bërë nmë mirë.

Drama në fund – Si për të përkeqësuar dhe më shumë punën e Lesterit, Amartej i futur në lojë në pjesën e dytë në harkun e 16 minutave ndëshkohet me dy të verdhë, duke lënë ekipin me një lojtar më pak, çmenduri. Junajtid ka gjithçka në dorë, por Lingard bën të pabesueshmen, ku me portën bosh godet shtyllën (71’). Pas tij e ka radhën Rashford, i cili i vetëm me Shmajkel nuk arrin të shënojë. Gola të shpërdoruar, gol i pësuar, ligji i futbollit godet sërish. Në minutën e 4-t shtesë, Albrajton hedh një top në zonë dhe aty Meguajër i pambuluar shënon golin e barazimit, Lesteri ia del me 10 vetë t’i marrë një pikë “Djajve”.

Lester – Man.Utd           2-2

Shënues: Vardi 26’, Meguajër 90’+4 / Mata 39’, 60’

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.