Dule kërkon drejtësi: E poshtëruan Tomorin, por pikët nuk na i vjedhin dot!

0

Mbetet çështje mjaft e nxehtë në Berat ndeshja kundër Apolonisë dhe vendimi i Komisionit të Disiplinës, që e ka dënuar me humbje në tavolinë Tomorin, përveç dënimit të fushës dhe pezullimit të trajnerëve.

Është një sezon i zi në Berat, sepse klubi ka probleme pa fund, mjafton të kujtohen vonesat e pagave në fund të vitit të shkuar, apo kushtet skandaloze ku jetojnë futbollistët jabanxhinj dhe të huaj, në ambientet e stadiumit Tomori.

Megjithatë, ajo që ka ndodhur këtë radhë konsiderohet një padrejtësi e madhe në Berat, sepse prisnin ndonjë dënim fushe e shumta, por jo masa të tilla, duke qenë se gjithçka ndodhi nga tribunat, ashtu si në shumë ndeshje të tjera, edhe në Superiore, ku ka pasur arbitra të goditur, por asnjë vendim kaq drastik.

Trajneri i Tomorit, Santiliano Dule, i cili është dënuar për shumë javë që të mos e drejtojë skuadrën, flet për ngjarjen e fundit dhe për dënimin e tij, duke akuzuar hapur zyrtarët e ndeshjes, ndryshe nga klubi, që ka akuzuar FSHF-në.

– Dule, çfarë mund të thoni për ngjarjet e fundit dhe për dënimin e rëndë dhënë nga Komisioni i Disiplinës?

– Për të qenë sa më i qetë dhe për të artikuluar sa më mirë reagimin tim zyrtar, unë po dal pas 24 orësh për të qartësuar këdo në opinionin futbolldashës shqiptar, në lidhje me atë vendim sa skandaloz, aq edhe masakrues për mua dhe skuadrën e Tomorit, por edhe fyes për një qytet si Berati, që jeton me futbollin dhe reagon me të drejtë ndaj një poshtërimi të tillë si rasti më i fundit. Sot ka pasur një deklaratë zyrtare nga ana e klubit dhe presidencës, por kjo nuk do të thotë që edhe unë si trajner dhe viktimë e kësaj maskarade të mos jap prononcimin dhe qëndrimin tim.

– Më konkretisht Dule, çfarë kontestimi keni dhe si i argumentoni ju vendimet ekstreme apo maskaradë, siç e cilëson klubi.

– E nisim qysh nga dënimi më skandaloz, kur na zbriten tre pikë, edhe pse ndeshja është zhvilluar shumë korrekte në fushë dhe s’ka pasur asnjë element plotësues që të zbatohej rregullorja për ndryshimin e rezultatit. Ne kemi fituar një ndeshje me gjak dhe shumë sakrificë, edhe pse kemi luajtur ndaj Apolonisë dhe tre gjyqtarëve që kanë qenë tërësisht të njëanshëm, dhe për çudi kryesori Halo jo vetëm që nuk ka konstatuar asgjë të parregullt në fushë, ku s’ka elementë të dhunës dhe goditje të gjyqtarëve apo kundërshtarit, por as nuk ka pasur asnjë ankesë që loja  duhej ndërprerë apo duhej luajtur për publik. Edhe kaseta e ndeshjes e vërteton këtë dhe ajo mund të shkojë deri në FIFA për ta gjykuar specialistë më të aftë atë që ndodhi në 96 minuta lojë. Për të vijuar me dënimin tim, kur vetëm në pushim të ndeshjes i kam kërkuar kryesorit që të mos irritojë popullin në stadium sepse moviola do ta nxirrte zbuluar për mosakordimin e dy 11-metërshave. Unë motivoj skuadrën dhe kjo është e drejta ime dhe aspak një mëkat, ashtu sikur kam të drejtën që të kërkoj edhe mbështetjen e publikut.

– Po për dënimin e fushës çfarë komenti keni?

– Çfarë duhet të them, në një kohë që delegati Haxhia na kërkoi përpara ndeshjes 7 stjuardë dhe ne i sollëm 8? Po kështu, kërkoi mjetet e zjarrfikëses dhe autoambulancën dhe ato ishin në kohën e duhur, kërkoi shtesë të forcave të policisë bashkiake dhe i sollëm edhe 8-10 forca shtesë dhe si përfundim ndëshkohemi kaq rëndë, kur gjykimi i kryesorit Halo dhe dy ndihmësve të tij kanë irrituar ata 2000 sportdashës. Duke luajtur me ndjenjat e tyre dhe skuadrën e Tomorit, detyrimisht që do të ketë edhe sharje si në çdo stadium, ashtu edhe ndonjë bidon uji, por të dënohet fusha pa spektatorë, jo të na degdisin katër ndeshje jashtë Beratit dhe pa spektatorë, sepse kështu shtohet mëkati i atyre që erdhën si delegat dhe vëzhgues, të cilët u bënë palë me Apoloninë dhe gjyqtarët, dhe për mua s’ka asnjë faj as Disiplina dhe as FSHF, sepse jemi të bindur që “lepuri” fle diku tjetër dhe e gjitha kjo është një inskenim i turpshëm nga drejtuesit e Apolonisë, sipas asaj që komentohet gjerësisht në Berat.

– Ç’doni të thoni me ‘”lepuri” fle diku tjetër’?

– Unë vetë nuk akuzoj asnjëri, por nuk dua të fsheh për opinionin futbolldashës atë që po komentohet gjerësisht në qytetin tonë, teksa janë ngritur dyshime të forta për një takim të kryesorit Elidon Halo me drejtuesit e Apolonisë gjatë rrugës për në Berat ditën e ndeshjes. Së dyti, ka dyshime të forta dhe të arsyeshme, që delegati Petrit Haxhia ka qenë pjesë e inskenimit të kësaj maskarade për të dëmtuar Tomorin dhe për të ndihmuar Apoloninë, që ashtu si Tomori pretendonte vendin e pestë. Së treti, flitet se gjyqtarët që i ka kërkuar Apolonia janë përzgjedhur nga njerëz të njohur në komisionin tekniko-gjykues, që janë miq të presidentit të Apolonisë. Për të vijuar me dyshimin tonë më të fortë, se protokolli i ndeshjes që i është çuar Disiplinës është ribërë nga e para diku jashtë Beratit nga delegati dhe vëzhguesi i ndeshjes, sipas kërkesave të drejtuesve të Apolonisë. Personazhi më negativ përveç gjyqtarit është padyshim delegati Haxhia, që pas ndeshjes i shkoi për të komunikuar me presidentin e Apolonisë tek makina e tij, ndërsa Kokëdhima i shtyu derën në nerva e sipër! Është po delegati Haxhia që çuditërisht na kërkonte që në gjysmën e tribunës qendrore që koincidonte me pankinën e Apolonisë dhe vijërojtësin e parë, të vendoseshin sportdashësit e Apolonisë, në një kohë që “specialisti” Haxhia ka harruar me sa duket  që klubi Tomori i ka vendosur sportdashësit miq në këtë sezon dhe në pesë vitet e fundit në të gjitha kategoritë, në pjesën pas portave ku ka qenë ishte ora e stadiumit.

– Së fundi, ndryshe nga pretendimet për bojkot, sot keni dalë në stërvitje. Çfarë hapash do të ndiqni për në shkallën e dytë në Apel dhe çfarë prisni prej tij?

– Po, sot kemi kryer pagesën pranë FSHF për të nisur procedurën e Apelimit të vendimit të Disiplinës dhe do të kërkojmë anulimin në themel të tre vendimeve që na masakruan padrejtësisht. Një ekip profesionistësh me juristë, së bashku me kasetën e ndeshjes, jo vetëm që do të kërkojnë rikthimin e fitores dhe faljen e fushës dhe timen dhe të ndihmësit tim, por do të shkojmë më tej, duke kërkuar që të dënohen treshja e gjyqtarëve dhe mundësisht delegati Haxhia dhe vëzhguesi Koreshi të gëzojnë ditët e tyre të pleqërisë larg stadiumeve dhe jo të penalizojnë një qytet futbolldashës si Berati dhe një skuadër si Tomori. Fitorja me Apoloninë ishte me meritë dhe me gjak, sepse i kishim të gjithë kundër, ndaj nuk e falim dhe s’ka asnjë dyshim për këtë, ndërsa Apolonia dhe presidenti i saj besoj se kanë zgjedhur gabim “viktimën” e tyre me emrin Tomori, sepse dirigjuan një maskaradë pa llogaritur se ndeshja në fushë dha një tjetër shfaqje dhe kaseta e ndeshjes e vërteton këtë. Duhet të akuzojmë ne dhe do të denoncojmë deri në fund atë që kërkuan të na bëjnë në fushën tonë këta gjyqtarë dhe zyrtarë të papërgjegjshëm që ju dogj skenari që desh i vunë flakën Beratit.

EDI SPAHIU

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.