De Biazi, trajneri më i suksesshëm dhe jetëgjatë nga të huajt!

Ndërsa disave iu bënë menjëherë kontrata “të arta”, italiani i fitoi paratë me rezultate dhe punë. Thuajse 6 vjet nën drejtimin e Shqipërisë

Xhani de Biazi është padiskutim trajneri më i suksesshëm i huaj. Ai që qëndroi më gjatë në stolin kuqezi, thuajse 5 vjet e gjysmë, por edhe ai që arriti të bënte atë që çdo paraardhës i tij u përpoq, pra të realizonte ëndrrën e gjithë shqiptarëve për të shkuar në një Europian të futbollit, edhe pse tashmë dëshira tjetër mbetet Kupa e Botës. Stoli kuqezi ka kaluar plot 10 trajnerë të huaj. Jo vetëm kaq, por duke bërë një përllogaritje, sipas rrogës që mori në dy vitet e para, ajo ishte shumë më e ulët nga sa përfituan paraardhësit e tij, të cilët e nisën kontratën e tyre me 250 mijë euro e sipër, ndërsa trajneri italian me vetëm 240 mijë përfshirë bonuset. Sigurisht, flasim për trajnerët pas viteve të regjimit diktatorial.

Broçiç – Gjithçka nisi me Ljubisa Broçiç. Ishte viti i largët 1946 dhe Lufta e Dytë Botërore sapo ishte mbyllur. Kombëtarja kuqezi, që kërkonte një dorë të rëndë dhe disiplinë taktike e teknike, kthen sytë nga fqinjët e Jugosllavisë së asaj kohe. Pikërisht ish-futbollisti i kombëtares jugosllave do të përzgjidhej, madje dy herë. Në periudhë tranzicioni dhe, një vit më pas, në 1947.

Vadas – Nga Serbia në Hungari, ku emri tjetër do të ishte ai i Miklosh Vadas, ish-futbollist i Olimpik Lionit (1935-36) dhe Amiensit, por edhe me një karrierë të shkurtër në Zvicër. Në vitin 1953 do të merrte stolin e Shqipërisë, teksa më pas do të drejtonte Sirinë dhe Jordaninë. Kurioziteti… Pas miqësores Shqipëri-Poloni 2-0, u largua nga posti si trajner.

Ljukshinov – Një tjetër i huaj do të drejtonte Shqipërinë. Postin e Vadasit, pak vite më vonë do ta merrte ish-futbollisti i Bashkimit Sovjetik, Nikolai Ljukshinov, edhe pse eksperienca e tij do të ishte shumë e shkurtër. Ishte koha kur çdo vendim që merrej në Shqipërinë komuniste kishte lidhje politike, edhe në sport. Pikërisht raportet e shkëlqyera me Bashkimin Sovjetik do të mundësonin këtë afrim. Vetëm një vit, ai 1956, teksa më pas do të merrte Partizanin.

Dosena – Xhuzepe Dosena do të firmoste përpara shumë gazetarëve kontratën me Shqipërinë, më 27 qershor 2002. Por, lamtumira e tij ishte edhe më e shkurtër se vetë konferenca për shtyp e dhënë në federatën shqiptare të futbollit.

Brigel – Një “gjeneral të hekurt”, që qëndron tre vjet në stolin kuqezi (2003-2006). Ish-futbollisti i Kaiserslauternit, Veronës dhe Sampdorias, por edhe ish i Gjermanisë Perëndimore,  i famshëm për kërcimet e gjata dhe ndër më popullorët në Gjermani, do të vendosë disiplinë te kuqezinjtë. Në tre vjet, 30 ndeshje, 10 fitore, 4 barazime dhe 16 humbje. Më 9 maj 2006, pak përpara fillimit të Botërorit që shpalli Italinë kampione, largohet pasi nuk rinovon kontratën me Federatën Shqiptare të Futbollit

Bariç – Pas gjeneralit Brigel, pankina e Shqipërisë, ende pa u ftohur, gjen një tjetër emër të njohur dhe mjaft të famshëm. Austro-kroati, Oto Bariç, vihet në drejtimin e kuqezinjve. Dy humbje të turpshme, 4-2 ndaj Bjellorusisë dhe 6-1 në Bukuresht, ndaj Rumanisë, firmosën largimin e tij, që u ndje i tradhtuar nga skuadra dhe lojtarët. Dha dorëheqjen pas vetëm një viti…

Han – Ish-futbollisti i Holandës dhe PSV-së, Anderlehtit dhe Ajaksit, merr stolin e Shqipërisë, pas një karriere dhe cv-je të pasur duke drejtuar edhe skuadra si PAOK, Austria Vjenës, Fejnord, Shtutgart dhe Nurenberg. Në mes, eksperienca në Kinë, aty ku njihet me traditat e këtij vendi të gjigant… Do të kthehet, pasi Azia bëhet shtëpia e tij, por në fillim pranon ofertën e “shqiponjave”, në dhjetor të vitit 2007. Firmos për dy vjet, por në prill të 2009-ës largohet nga Shqipëria,me vullnetin e tij dhe duke kursyer arkat e federatës (rezultatet e turpshme të njëpasnjëshme ndikuan).

Kuzhe – “Plakushi i mirë”, ai që do të lërë padyshim gjurmë në futbollin shqiptar. Merr vendin e Hanit, duke drejtuar për dy vjet Shqipërinë, saqë më pas, ashtu si holandezi, fluturon për në “murin e madh”, pikërisht te Tianzhin Teda. Dy vjet drejton kuqezinjtë (2009-2011). Disa rezultate të mira, një fitore spektakolare 6-1 ndaj Qipros, edhe pse në miqësore dhe barazim ndaj Danimarkës. Ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit do të ndahet nga jeta vetëm 60-vjeç.

Mustedanagiç – Sëmundja e rëndë e Josip Kuzhes dhe largimi i tij i hapën rrugën Xhemal Mustedanagiçit, boshnjakut, që të merrte për një vit drejtimin e Shqipërisë. Kështu, Xhemo drejtoi për disa muaj kuqezinjtë.

De Biazi – Trajneri më i suksesshëm dhe jetëgjatë kuqezi. Thuajse 6 vjet në stolin e Shqipërisë, 53 ndeshje dhe bilanc pozitiv, nëse shihet me një këndvështrim të nivelit të kombëtares tonë ndër vite. Europiani, qershia mbi tortë.

10 trajnerët e huaj kuqezi

Ljubisa Broçiç                     Serbi

Miklos Vadas                     Hungari

Nikolai Lyukshinov           Rusi

Xhuzepe Dosena              Itali

Hans Peter Brigel             Gjermani

Oto Bariç                              Kroaci

Ari Han                                 Holandë

Josip Kuzhe                        Kroaci

Xhemal Mustedanagiç   Bosnje H.

Xhani De Biazi                    Itali

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *