Daja: Asnjë nënvlerësim, Laçin ta trajtojmë si Kukësin!

0

Trajneri i Skënderbeut kërkon t’i marrë ndeshjet një e nga një dhe për momentin përqendrohet vetëm te 90-minutëshi i së enjtes me kurbinasit

Leonard Trebicka

Pak ditë më parë trajneri Ilir Daja theksoi faktin se skuadra e ashtuquajtura “të vogla” duhen respektuar maksimalisht, sepse titulli nuk fitohet vetëm në sfidat direkte me rivalët. Edhe trajneri Daja i mëshoi faktit se kërkon nga futbollistët që të kenë të njëjtin motiv si me Kukësin edhe ndaj Laçit apo çdo skuadre tjetër. Trajneri flet për gjendjen e ekipit, veçanërisht të lojtarëve që kanë pasur probleme fizike, por edhe për mungesat e ndeshjes së javës së pestë me Laçin.

Daja, po afron Laçi dhe këtë radhë kishit ditët e mjaftueshme për t’u rikuperuar fizikisht. Si është gjendja e ekipit?

– Ishin të nevojshme dy ditë pushim, pas gjithë kësaj periudhe të ngarkuar nga vera, ku ekipi nuk ka pushuar aspak. Kemi dy lojtarë që vazhdojnë të jenë të impenjuar me Kombëtaren, Jashanicën dhe Alitit. Prandaj grupi nuk është i plotë, por jemi munduar të përgatitemi mirë për këtë takim.

– Si do të vijë Skënderbeu përballë Laçit në javën e 5-të?

– Kemi disa mungesa. Nimaga ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi i pësuar ndaj Partizanit. Gavazaj tashmë dihet që do të mungojë për disa ndeshje. Edhe Nespor këtë javë nuk do të jetë me grupin. Pjesa tjetër është në stërvitje dhe kanë kapur ritmin e duhur pas atyre dy ditëve pushim. Deri të shtunën kemi punuar me dy seanca stërvitore, por edhe ndeshja e Kupës na shërbeu për t’u dhënë minutazh lojtarëve që kanë qenë pak të aktivizuar. Kemi pasur kohën e mjaftueshme që gjitha energjitë t’i përqendrojmë te ky takim. Kemi bërë një start të mirë të kampionatit. Duhet të luftojmë fort me të gjitha ekipet, pasi çdo ndeshje vlen tri pikë dhe në fund fitoret me “të voglat” të çojnë te titulli.

– Ky pushim erdhi në momentin e duhur, apo e ndryshon ritmin tuaj?

– Mendoj se kishim nevojë për këtë pushim, erdhi në momentin e duhur për ne. Në fund të fundit, lojtarët përveçse kanë nevojë për ngarkesa, duan edhe rikuperimin e energjive psiko-fizike.

– Sa e vështirë është të punosh me gjithë këto mungesa?

– Nëse do të ishte sezoni i vjetshëm, mund të them se do të ishte problem dhe do të duhej të sakrifikonim lojtarët që kanë lodhje me ekipin kombëtar. Besoj që deri tani kemi ndërtuar formacionin sipas pritshmërie, pasi prej javës së kaluar po e përgatisim ekipin për të punuar me manovrën tekniko-taktike. Nuk e shoh si problem, pavarësisht se Jashanica dhe Aliti kanë bërë paraqitje shumë të mira dhe janë pika të forta të grupit.

– Keni dy takime brenda, ku pas Laçit prisni Lushnjën…

– Kërkoj tri pikët e radhës përballë Laçit, që është një ekip që e ka nisur mirë këtë vit si me fitoren me Partizanin, por edhe me Vllazninë javën e fundit. Do ta marrim ndeshjen me të njëjtin motiv që e mbyllëm me Kukësin. Do të kemi të njëjtin motiv për të marrë tri pikët dhe do mendojmë vetëm për Laçin. Pasi ta kemi mbyllur këtë takim, kemi kohë për të menduar për Lushnjën.

– Sa e njihni kundërshtarin, cilat janë pikat e tij të forta?

– E kemi parë Laçin dhe vazhdojmë të mbledhim material. Do të shohim edhe video të tjera, për të pasur më shumë të dhëna. Kaq mund të them për momentin.

– Si është gjendja e Radasit dhe Osmanit, të cilët vijnë nga dëmtimet?

– Osmani dhe Radas vazhdojnë stërvitjen me grupin dhe i kanë kaluar problemet tashmë. Mund të them se janë në 100% me grupin. Nga ana tjetër, edhe Sahiti ka një problem dhe nga nesër (sot) do të bashkohet me grupin pjesërisht. Ka një luksasion të kaviljes dhe është në dyshim për ndeshjen ndaj Laçit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image