Çelsi: Sarri, Higuain dhe Zhirzhinjo më pranë

Çelsi është pranë emërimit të ish-trajnerit të Napolit, Mauricio Sarri në krye të stolit të “bluve”. Ardhja e trajnerit do të shoqërohej edhe me blerje të mëdha në merkaton e verës, pikërisht nga Seria A. Mediat italiane njoftojnë se “shenjat janë mjaft pozitive” për ndryshimin e stafit teknik te klubi i Premierligës, ku Sarri do të zëvendësonte Antonio Konten.

Sipas ekspertit të merkatos, Xhanluka DiMarcio, Zhorzhinjo do të ishte një faktor thelbësor për të mbyllur marrëveshjen me trajnerin. Çelsi synon që ta rrëmbejë yllin e mesfushës së Napolit, duke fituar garën me rivalët e Mançester Sitit.

“Sitizëns” janë prej kohësh në ndjekje të brazilianit 26-vjeçar, megjithatë nuk është bërë asnjë hap konkret për të arritur marrëveshjen me Napolin. Nga situata e krijuar synon të përfitojë Çelsi, që me 65 milionë euro mund ta afrojë Zhorzhinjon në “Stemford Brixh”.

Ndërkohë, “SkySport Italia” pretendon se “blutë” e Londrës synojnë që në fakt të realizojnë dy blerje të mëdha, ku përveç Zhorzhinjos, një tjetër objektiv konkret është edhe sulmuesi i Juventusit, Gonzalo Higuain, që pas transferimit të Ronaldos në Torino duket i destinuar të largohet nga bardhezinjtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *