Çani është kthyer, tani radhën e ka Fejzullahi  

Sulmuesi tregoi kundër Flamurtarit se është shumë pranë formës së plotë fizike, ndërsa “blerja” e radhës për Dalipin quhet Arbnor Fejzullahi. Konkurrencë e egër…

Ndonjëherë në futboll duhet edhe fat dhe Klevis Dalipit nuk po i mungon. Afrimi në stolin e Partizanit ka ardhur gradualisht dhe qetësisht, pa tërmete e pa polemika. Përjashtimet, dëmtimet, rezultatet e dobëta, ishin të gjitha pjesë e kohës së Mark Julianos apo Sulejman Starovës, që nuk arritën asnjëherë të kishin një Partizan të plotë dhe të qetë. Dënimi i Starovës i dha mundësi Dalipit të tregonte veten në stol, qoftë edhe si trajner i përkohshëm, ndërsa fati e dha goditjen e parë në Durrës, aty ku goli i Shpëtim Moçkës solli largimin e Starovës. Më pas, kalendari ka qenë i favorshëm për Dalipin dhe mbi të gjitha trajneri i ri ka gjetur edhe Edgar Çanin, atë që praktikisht mund t quhet një përforcim i ri dhe vendimtar në sulm.

ÇANI VENDIMTAR – Nëse nuk do të ishte për Çanin, Partizani ndoshta nuk do të fitonte ndaj Flamurtarit, sepse ai gol që vendosi takimin e së hënës ishte i tëri meritë e sulmuesit të fuqishëm. Ka vuajtur shumë, ka munguar për pjesën më të madhe të sezonit, ka lënë një boshllëk të madh në sulm dhe kjo i ka prishur shumë punë Partizanit, por tashmë sulmuesi është kthyer. Dalipi e hodhi në fushë vetëm 3 minuta në Shkodër, por dukej qartë që Çani kishte nevojë për më shumë minuta dhe autokritika e trajnerit erdhi ndaj Flamurtarit, duke guxuar, sepse që në pushim urdhëroi futjen e sulmuesit të fuqishëm, në vend të Jurgen Bardhit, i cili ka sakrifikuar më shumë nga sa i takon, duke bërë sulmuesin e parë, rol që nuk i takon. Fat dhe guxim për Dalipin, që u shpërblye për zgjedhjen e tij, por tani e tutje Çani mund të kthehet në një pikë referimi në sulm dhe thjesht i duhet vazhdimësi, sidomos fizikisht.

FEJZULLAHI KOMPLETON SKUADRËN – Në prag të sprintit final të sezonit, Partizani ka kapur vendin e katërt dhe tashmë sheh vetëm për lart. Skuadra krejt papritur duket e kompletuar, nëse Çani bëhet titullar dhe nuk vuan më nga dëmtimet, sepse pas tij alternativat janë pa fund, aq sa trajneri Klevis Dalipi do të ketë dhimbje koke për të vendosur formacionin titullar. Një përforcim i madh për Dalipin dhe Partizanin do të jetë Arbnor Fejzullahi, mbrojtësi i djathtë më i mirë në Superiore këto vitet e fundit, derisa dëmtimet nisën t’i bëhen makth. Në verë dëmtimi i parë serioz, në shtator rikthimi për pak ditë dhe sërish dëmtim i rëndë, në ndeshjen kundër Naftëtarit në Kuçovë, për kupë. Pasoi operacioni dhe tashmë sezoni për mbrojtësin është praktikisht i djegur, por së shpejti do të kthehet në fushë, me Partizanin B. Ekipi i parë në këtë moment është i mbuluar, sepse Labinot Ibrahimi po e bën më së miri detyrën si mbrojtës i djathtë, por nuk duhet harruar që Fejzullahi është vetëm 24 vjeç dhe deri vjet ishte ndër lojtarët më të kërkuar të Superiores në treg, me interesim edhe nga Turqia e Zvicra. Partizani ndoshta gaboi që nuk e shiti, por mosha e re e mbrojtësit bën që klubi i kuq ta presë me durim.

TELUSHI – Erdhi në janar nga Kroacia, luajti titullar në 3 ndeshjet e para në kampionat,  por prej një muaji nuk luan për dëmtim. Bruno Telushi ka qenë shumë i pafat në rikthimin e tij në Superiore, por është një lojtar i rëndësishëm për klubin e kuq. Vendin e tij e ka marrë Esat Mala dhe djaloshi 19-vjeçar po shkëlqen, aq sa vlen shprehja “çdo e keqe ka të mirën e saj”, por natyrisht kur Telushi të kthehet në formë të plotë, Dalipi do të ketë problemin e zgjedhjes. Për momentin Telushi është larg kthimit në fushë me ekipin e parë, por do të luajë disa ndeshje me Partizanin B, derisa të gjejë formën perfekte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *