Besa i rikthehet Kosovës, 4 investime madhore

E mbani mend Besën e suksesshme të Nexhat Bizhdilit, vite më parë? Prej saj dilnin emra si Bernard Berisha e Fejzullahi, sa për të përmendur ndonjë emër, sepse Bizhdili nuk dihet si, por në Kosovë zbulonte xhevahirë.

Tani Besa e Bizhdilit kthehet të eksplorojë Kosovën dhe duket se e ka marrë shumë seriozisht. Klubi kavajas ka prezantuar 4 futbollistë njëherësh këtë të martë, të gjithë nga Kosova, të gjithë me kontrata 5-vjeçare në Kavajë.

Njëri prej tyre është Ardit Berisha, sulmues 19-vjeçar i të rinjve të Skënderbeut, i cili ka lindur në Mainc të Gjermanisë dhe tashmë do të jetë një investim madhor për Besën.

Ndërkaq, tre të tjerët janë të gjithë mbrojtës: Ardian Shaljani, 18 vjeç, ka qenë pjesë e 2 Korrikut në Kosovë, luan si qendërmbrojtës.

Arianit Krasniqi, 18 vjeç, ka qene pjesë e Trepçës ’89 dhe luan në të dy krahët e mbrojtjes. Ai e kishte arritur që në qershor marrëveshjen me Besën.

Adonis Zeqiri, gjithashtu 18 vjeç, është mbrojtës i majtë dhe ka luajtur te KEK. Edhe Zeqiri është që në qershor pjesë e Besës, pavarësisht se vonoi zyrtarizimi dhe prezantimi.

Duke parë që të gjithë kanë firmosur për 5 vite, duke qartë që Besa nuk bën më plane afatshkurtra dhe thjesht për mbijetesë në futboll.

Ndërkohë, edhe mbrojtësi Rexhep Memini është kthyer nga Kosova, pas gjysmë sezoni te Trepça ’89. Ish-mbrojtësi i Teutës e Kukësit është në bisedime me Besën dhe mund të firmosë aty këto ditë, duke shtuar cilësinë dhe eksperiencën në mbrojtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *