“Barcelona ka vite që fle, fati i Realit duket si magji”

Barcelona fitoi kampionat e kupë këtë vit, por pakkush e ka shijuar këtë arritje, duke parë që Reali i Madridit fitoi sërish Champions League.

Në kampin blaugrana situata nuk është e qetë dhe jo rastësisht para pak ditësh Karles Pujol lëshoi një kritikë të hapur për klubin, ndërsa tani e ka radhën një tjetër legjendë e klubit, Çavi Hernandez, që të flasë hapur.

“Madridi ka një gjen fitues dhe Barcelona është në gjumë, ka vite që ata janë në gjumë kur bëhet fjalë për blerjet: ata që vijnë te Barça, nuk e dinë ku po shkojnë dhe kjo ndikon në mënyrë negative në rezultatet e klubit”, shpjegoi mesfushori legjendar në programin ‘El Penalti’ në Radio Estel.

Pasi kritikoi drejtuesit e Barcelonës, Çavi e bëri të qartë se edhe fati është kthyer totalisht pro Realit: “Reali ka gjithçka në favor: dëmtohen lojtarë si Nejmar, Roben e Boateng, arbitrat e ndihmojnë, lojtari më i rëndësishëm i Liverpulit dëmtohet, portierët e Bajernit dhe Liverpulit e katranosin. Duket si punë shtrigash, por thelbi është që Reali ka përfituar edhe nga fakti që Barcelona është në gjumë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *