Akuza nga Lushnja: Nuk na pyeti kush për shtyrjen, FSHF favorizoi Vllazninë

U fol për mirëkuptim nga klubi lushnjar për shtyrjen e ndeshjes, por sekretari Irakli Zaka thotë të kundërtën. Dedja tregohet diplomat 

Arjan Likja

Nëse shtyrja e kampionatit për shkak të miqësores e Kombëtares me Turqinë është mirëpritur nga drejtuesit e Lushnjës, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me shtyrjen e transfertës me Vllazninë. Pasi kanë mësuar lajmin zyrtar nga FSHF-ja, lushnjarët kanë reaguar me anë të sekretarit të klubit Irakli Zaka. Në klubin lushnjar gjykojnë se në këtë rast drejtuesit e FSHF-së kanë kënaqur vetëm palën shkodrane, që kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes. “Na njoftuan sot për shtyrjen me një javë të ndeshjes me Vllazninë dhe e kontestojmë këtë vendim, pasi gjykojmë se na penalizon. Mendojmë se janë plotësuar “tekat” e ekipit shkodran. Dua të bëj me dije opinionin futbolldashës lushnjar se vendimi është marrë nga FSHF-ja pa na pyetur. Federata ka një rregullore, që duhet zbatuar me përpikëri dhe paanshmëri për të gjithë aktorët e garës. Nëse Vllaznia do të kishte probleme me kushtet atmosferike apo probleme shëndetësore në masë, do ta pranonim shtyrjen e këtij takimi në një datë tjetër. Por asnjë nga këto arsye nuk qëndron, kështu që shtyrja e ndeshjes është krejtësisht e papranueshme. Ky takim duhet të luhet në fushë asnjanëse dhe kërkesa e shkodranëve duhej të mos merrej në konsideratë nga federata. Mjafton t’u sjell në vëmendje 2 ndeshjet tona shtëpiake ndaj Vllaznisë dhe ndaj Kamzës, që i luajtëm në stadiumin e Fierit, për të vërtetuar se federata në rastin konkret ka vepruar me 2 standarde në zbatimin e rregullores. Nëse kjo garë do të vazhdojë me këtë mënyrë, futbolli do të vazhdojë të shëmtohet dhe të braktiset nga tifozëritë në stadiumet shqiptare”, – ka theksuar zyrtari i Lushnjës Irakli Zaka.

DEDJA – Shtyrja e ndeshjes e ka detyruar trajnerin Hysen Dedja të ndërrojë “kurs” dhe të mendojë për Flamurtarin. Për këtë ndryshim të papritur, Dedja, ndryshe nga shefi i klubit Zaka, është treguar diplomat: “E kishim përgatitur skuadrën për të luajtur të mërkurën dhe pretendimet tona ishin për rezultat pozitiv, ndaj nuk më erdhi mirë që u shty. Jam trajner dhe dua të flas vetëm për anën teknike. Ky është një vendim zyrtar, me të cilin duhet të merren drejtuesit e Lushnjës. Jemi të detyruar të ndërrojmë programin stërvitor dhe të përgatitemi për ndeshjen e fundjavës ndaj Flamurtarit. Luajmë në “Roza Haxhiu”, përballë tifozëve tanë, ndaj shpresojmë të marrim më të mirën”, – është shprehur trajneri Dedja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *